Festoi me FOTO-n e Hoxhës, Alizoti: Në Gjermani do shkonte në burg, por në Shqipëri...

Deputeti demokrat Tomor Alizoti ka reaguar pas provokimit të deputetit socialist të Lushnjes, Bujar Ccela i cili festoi me foton e diktatorit Enver Hoxha.

Alizoti shkruan se, nëse ai do ta kishte bërë këtë provokim në Gjermani, do ti hiqej imuniteti dhe do të shkonte në burg.

Reagimi i Tomorr Alizotit:

Akti i turpshëm i deputetit të Partisë Socialiste, i cili feston 29 nëntorin me portretin e Enver Hoxhes, nuk është një rast i veçuar.

Ai reflekton politikën e ndyrë të këtyre 30 viteve, ku bijtë e etërve kriminelë gëzuan pushtet e privilegje, ndërsa ata që vuajtën burgjeve enden rrugëve me shijen e cinizmit të një vendi që nuk ka ditur të dënojë krimet e të respektojë vlerat.

Ky akt, ashtu si dhe raste të tjerë para tij, reflekton një politikë që ushqehet nga krimet e së shkuarës.

Nëse kjo do të ndodhte në Gjermani, shoqëria do çohej në këmbë dhe deputetit do ti hiqej imuniteti e do shkonte në burg.

Është në turpin tonë fakti që lejojmë të ndodhin poshtërsi të tilla.