Në Bosnje fryn erë lufte/ Dodik: Do më ndihmojnë Putini dhe Rusia

Lideri i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, tha se nuk ndjehet i kërcënuar nga sanksionet që mund të vendosë Perëndimi ndaj tij. Duke folur për gazetën britanike Guardian, ai tha se nëse Perëndimi merr masa ndaj tij, do të kërkojë ndihmën e Vladimir Putinit dhe Kinës.

“Nuk jam zgjedhur që të jem një frikacak,” tha Dodik.

Lideri i serbëve të Bosnjes akuzohet se po nxit luftë në rajon, duke kërkuar ndarjen e Bosnje-Hercegovinës.

62-vjeçari, një figurë kryesore e politikës në Bosnje për 30 vite, dikur ishte i preferuari i Perëndimit. Por së fundmi, Uashingtoni, Londra, Berlini dhe Brukseli e kanë kërcënuar me sanksione nëse çon përpara planet për ndarjen e Bosnjes.

Megjithatë, Dodik tha se nuk është i shqetësuar pasi ka marrë oferta për investime nga Kina. Po ashtu ai tha se pret të takohet me Vladimir Putinin shumë shpejt.

“Do të shkoj te Putini. Ai do më thotë: me çfarë mund të të ndihmoj? Ai nuk më ka zhgënjyer kurrë”, tha Dodik, duke shtuar se edhe lideri kinez Xi Jinping i ka thënë se mund ta ndihmojë.

“Unë nuk jam një djalë i keq, por jam realist,” pati deklaruar Dodik më herët.

Prej kohësh Perëndimi është i shqetësuar për situatën në Bosnje.