FOTO/ Ramos debuton me sukses me PSG-në, Neymar largohet me barelë nga fusha

PSG reagoi pas humbjes me Manchester City në mesjavë dhe fitoi 1-3 në fushën e St Etienne, ekipi me më shumë tituj kampion në Ligue 1.

Debutoi më fund Sergio Ramos (titullar) me ekipin e ri në kampionatin francez.

Neymar gjeti golin në minutën e pestë, por VAR-i e anuloi. Vendasit morën zemër dhe kaluan në avantazh në minutën e 25-të me anë të Bouanga.

Fundi i pjesës së parë ishte i tmerrshëm për vendasit.

Timothee Kolodziejczak u ndëshkua me karton të kuq, teksa Leo Messi krosoi bukur nga goditja e dënimit dhe Marquinhos realizoi me kokë duke rikthyer baraspeshën.

Neymar dhe Messi humbën shanse të pastra në pjesën e dytë, ndërsa minuta e 78-të solli golin e avantazhit për PSG-në.

Messi gjeti bukur në zonë Angel Di Marian, i cili nuk gaboi përballë portierit kundërshtar.

Neymar pësoi një dëmtim të rëndë tre minuta më vonë dhe u largua nga fusha me barelë.

Në minutat shtesë erdhi edhe goli i tretë. Asisti i tretë i “pleshtit” dhe goli i dytë me kokë i kapitenit Marquinhos.

Fitorja e sotme e dërgon PSG-në në kuotën e 40 pikëve, duke mos pasur rivalë në garën për titullin.