DËSHMIA/ Gjendet nëna e dy fëmijëve, ishte martuar me të dashurin në Elbasan

Gjendet gruaja, nënë e dy fëmijëve e zhdukur një jave më parë në Durrës.

Duke iu referuar burimeve nga policia, Arjeta Cauli është gjetur në Labinot Katund, ku ishte martuar me një djalë.

Sapo kishte lënë punën ditën e hënë, 28-vjeçarja kishte ikur me të dashurin që ishte kthyer nga Italia, me të cilin ishte njohur nëpërmjet ‘Facebook’-ut. Ajo jetonte në familjen e tij si nuse e shtëpisë.

Ndërkohë që familja e djalit e kishte mirëpritur si nuse të djalit të tyre dhe janë çuditur kur policia iu ka shkuar në shtëpi për të kërkuar nënën e dy fëmijëve që i kishte deklaruar kushërirës së saj se ishte rrëmbyer nga katër persona.

Policia e ka shoqëruar në polici 28-vjeçaren, ku është marrë në pyetje. Mësohet se gruaja e re nuk i kishte treguar bashkëshortit të ri dhe as familjes së tij se ishte në proces divorci dhe se kishte dy fëmijë.

‘Nuk i kisha thënë familjes së të dashurit që isha në proces divorci dhe kisha dy fëmijë. Do ja thosha në një moment të dytë’, ka thënë Arjeta Cauli në polici.

Lidhur me dëshminë e të vëllait që ka bërë dhe denoncimin në polici për zhdukjen e saj, 28-vjeçarja është shprehur se nuk ka pasur marrëdhënie të mira me të.

‘Vëllai s’kishte pse dilte në televizor. Unë me të s’kam pasur marrëdhënie të mira. Unë ika vetë, e dua shumë djalin me të cilin ika’, ka thënë nëna e dy fëmijëve.

Ndërkohë policia ka bërë të ditur se pas verifikimeve ka rezultuar se 28-vjeçarja ka shkuar në spitalin e Elbasanit dhe mjekët kanë thënë se vajza është paraqitur me kriza nervore dhe i kanë bërë qetësues.

Ndërkaq telenovela e gruas së re, nuk do të kalojë pa pasoja për të. Policia e ka proceduar 28-vjeçaren për ‘braktisje të fëmijëve’, megjithëse ajo ka deklaruar se do të shkojë sërish tek i dashuri.

‘Do shkoj prapë tek i fejuari në Labinot Katund. E dashuroj dhe nuk ndahem prej tij’, ka thënë ajo.

Njoftimi i Policisë së Durrësit:

Policia e Durrësit lokalizon dhe gjen 26 vjeçaren që ishte larguar nga banesa.

Në vijim të informacionit për largim nga banesa të shtetases A. C., sqarojmë se:

Shërbimet e  Komisariatit të Policisë Durrës, pas kallëzimit të marrë nga familjarët për largimin nga banesa të 26 vjeçares A. C., menjëherë kanë nisur kërkimet dhe veprimet hetimore.

Nga informacionet e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, më datë 27.11.2021, rreth orës  23:30, u bë gjetja dhe kapja e shtetases të shpallur në kërkim A. C., banuese në lagjen Nr. 13, Durrës.

Për këtë shtetase filloi procedimi penal sepse më datë 22.11.2021, ka braktisur 2 fëmijët e mitur dhe ishte larguar me dëshirën e saj duke bashkëjetuar me shtetasin A. K., banues në Labinot Mal Elbasan.

Materialet i kaluan  në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.