Tragjedia në Deçan/ Përfaqësuesi i Gllogjanit: Atë ditë autobusi ka qarkulluar 3-4 herë me nxënës. Ka qënë fat...

Ditën e sotme janë hapur shtëpitë e mortit për dy viktimat Gentiana Mustafaj dhe Ledjan Hamzaj, familjarët e të cilëve kanë pritur ngushëllime në të njëjtin ambient pasi dy të rinjtë ishin rritur bashkë.

Në një prononcim për News24, përfaqësuesi i fshatit Gllogjan, Mustafë Selmanaj u shpreh se ai është njoftuar rreth orës 19 për ngjarjen nga një prind i një fëmije.

Ai tha se në momentin e ngjarjes nuk ka pasur pasagjerë në autobus dhe se kanë qenë vëtëm 9 nxënës.

Gjithashtu Selmanaj shtoi se atë ditë autobusi e ka bërë itinerarin Gllogjan-Gjakovë-4 herë. Ai u ka bërë apel autoriteteve për zbardhjen sa më shpejt të këtij krimi makabër.

“Ka ndodhur një tragjedi e madhe dhe e dhimbshme që nuk e mbajmë mend më përpara. Jam njoftuar rreth orës 19. Më mori prindi i një fëmijë ëm tha shko se më ka mbet fëmija atje. Dikush ka dalë me breshëri arme duke vrarë 2 fëmijë. Kanë qenë 9 fëmijë në autobus. Ka pasur nevojë për trajtim mjekësor pasi ishin të terrorizuar. Ky autobus ka qenë linjë e rregullt Gllogjan-Gjakovë. Atë ditë ai ka qarkulluar 3-4 herë me nxënës.  Në autobus s’ka pasur pasagjerë por vetëm nxënës. Ata kanë qenë 2 engjëj dhe s’kanë pasur konflikte me asnjë.  Personi ka qenë i maskuar, ka qenë vetëm një dhe sipas nxënësve ai është larguar në këmbë. Autobusi eci 50 metra me shofer të vrarë e më pas ra në kanal. Ka qenë fati që fëmijët kanë lajmëruar prindërit dhe më pas ka ardhur policia. Në emër të fshatit dhe Komunës së Deçanit kërkojmë nga autoritetet të gjejnë autorin që ka bërë këtë krim të rëndë”- tha ai.