Si u kap mat Basha/ Akuzon SHBA se mbështeti Ramën për zgjedhje

Në një përpjekje të pamundur për të mbrojtur të pambrojtshmen, Lulzim Basha ka akuzuar më në fund SHBA-në se ajo i toleroi Ramës shkeljen e marëveshjes së 5 qershorit dhe për rrjedhojë, i shkeli syrin për grabitjen e zgjedhjeve.

I gjendur në një pozicion të vështirë për të përligjur aktin personal të përjashtimit të Sali Berishës, kreu i PD u detyrua të bëjë shumë pirueta në emisionin “Open”.

Por, kulmi arriti kur gazetari Enton Abilekaj e kapi mat duke i kujtuar se ai i ka thënë Ramës sy më sy, në parlament: “Nëse më gënjen njëherë, turp për ty, nëse më gënjen dy herë turp për mua”. Ai ju ka gënjyer në çdo marrëveshje që keni bërë dhe ju keni vazhduar në të njëjtën rrugë. Kështu ndodhi edhe më 5 qershor, e thumboi Abilekaj.

Pikërisht këtu, për të përligjur faktin se braktisi qasjen radikale për tu përdhunuar në një tjetër pakt me Ramën, si ai i 5 qershorit, Basha u detyrua të dredhojë duke fajësuar SHBA-në, që është në fakt sot aleati i vetëm që i ka mbetur.

Ai deklaroi se ambasadorja Kim që ishte garante e marëveshjes për Kodi Zgjedhor u shndërrua nga arbitre në aleate të regjimit, pasi shteti i saj nuk kishte garanci se ai vetë dhe PD-ja mund të kontrollonin Berishën. “Marrëveshja e 5 qershorit ishte një marrëveshje e garantuar nga 3 përfaqësues të lartë të ndërkombëtarëve. U shkel në mënyrë të njëanshme. Arsyet pse u shkel mund ti diskutojmë këtu një nga një: Për shkak se mesa duket PD dhe Basha nuk ishin garanci e mjaftueshme për kontrollin e hipotekave të të kaluarës. Për këtë shkak, u lejua Edi Rama të shkelte marrëveshjet e 5 qershorit. Kush e lejoi, kush tjetër”, tha Basha duke vënë në diskutim rolin e arbitrit që SHBA kishte marë përsipër para shqiptarëve.

Kushdo që e kujton historinë, pas miratimit të reformës zgjedhore në 5 qershor, Yuri Kim dhe ish-Sekretari i Shtetit Pompeo e përshëndetën atë. Por kur me opozitën e re, Rama ndryshoi Kushtetutën duke hequr koalicionet, ndryshe nga europianët, ambasadorja amerikane heshti.

Këtë heshtje të turpshme, që në thelb përbën provën më të qartë të mbështetjes të regjimit, Basha u mundua ta justifikonte me faktin se Amerika qe bërë me Ramën, pasi nuk kishte garanci se ai kontrollonte Berishën.

Por në këtë piruetë meskine për të fshehur dështimin e tij për t'i besuar marëveshjeve me kryeministrin, Basha ka bërë një autogol të madh. Ndërkohë që retorika e tij dhe e gjithë mbështetësve të vet është se SHBA-së i duhet besuar si perandorisë së vlerave që i trumbeton shqiptarëve të vërtetën, ai vizatoi padashur një Amerikë që në 5 qershor ka gënjyer për pragmatizëm.

Se sa qëndron dhe se sa mbahet në këmbë arsyetimi i Bashës kjo është një gjë që ha diskutim. Por së paku, në këtë rast u gjet një pikë e përbashkët mes tij dhe Sali Berishës: ajo se SHBA-së i duhet besuar vetëm me raste dhe vetëm atehere kur të leverdis./LAPSI