Përkujtohet 75-vjetori i martirizimit të Atë Anton Harapi e të Lumit Atë Gjon Shllaku

“Tash sa kohë publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje. megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’i a çoj në vend dishirin: due t’a thom fjalën t’eme. Por, vall, shka të thom, kurse me fjalë jemi ngi? A kemi kund ndonji punë të mbarë, pse sa per fjalë të bukura nuk jemi ngusht aspak? Ja, pra, se nji punë e mirë u ba: mbas sa muejësh anarkije, sa të frikëshme aq edhe të rrezikëshme, sot - mirë a keq – kemi nji këshillë të naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeverí, kemi nji auktoritet shqiptár. ketë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miqë e dashamirë të mij mrrijtën: shka i u desht Patër antonit me i a hy kësaj pune? këtyne due t’i u përgjegji, jo si zyrtár, por si mik, jo për të përligjë vehten, por për të ndritun mendimin t’em dhe të tyne.

Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtrënguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mire të baj nji marrí: ase – sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të kompromentohem. Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptár: pse nuk mujta t’a shoh Shqipnín n’anarki”.
Fjalimi i Shk. P. Anton Harapi O.F.M 
Anëtar i Këshillít të Naltë të Regjencës mbajtun në rasen e betimit të vet perpara Parlamentit me 13-I-1944 


75-vjetori i martirizimit priftërinjtë At’ Gjon Shllakun dhe At’ Anton Harapin i gjen pa një varr.  Françeskanët kanë ardhur nga Shkodra në katedralen e Shën Palit që të kujtojnë dy figurat e rëndësishme të klerit katolik dhe kulturës kombëtare. At’ Viktor Demaj, i cili drejton Bibliotekën françeskane “At’ Gjergj Fishta” në Shkodër, e konsideron të domosdoshëm rikthimin e vëmendjes dhe leximit të tyre si njerëz të letrave dhe kontribues për çështje kombëtare. Ai bën thirrje që të lexohet pa paragjykime At’ Harapi, pasi ende vazhdon ta ndjekë dritëhija e 13 shtatorit të vitit 1943, kur emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944.

Ndërkohë që mbetet e ende i pa zbuluar, dorëshkrimi i historisë së filozofisë shqiptare shkruar prej tij. Në këtë përvjetor vjen para lexuesit botimi i veprës së plotë e At’ Anton Harapit. Në vëllimin e tretë dalin në dritë për herë të parë disa dorëshkrime ku përfshihen konferenca, predikime e ushtrime shpirtërore që ka mbajtur At’ Anton Harapi.

Viti 2021 për Provincen Françeskane Shqiptare dhe për krejt popullin shqiptar është një vit mjaft i veçantë sepse janë kremtuar 3 personalitetet më të shquara të kombit tone: At’ Gjergj Fishta në 150-vjetorin e lindjes së tij dhe me ketë rast është botuar vepra e tij e plotë. Dhe me datën 24 nëntor janë përkujtuar dy françeskan të tjerë të mëdhej si At’ Anton Harapi dhe At’ Gjon Shllaku në 75-vjetorin e martirizimit (1946-2021) ku pikërisht në këtë përvjetor u promovuan edhe botimet e plota të dy françeskanëve.

Gjatë kremtimit ku u paraqit edhe vepra e plotë e tyre, në praninë e Ipeshkvit-ndihmës të Arkidioqezës së Tiranës, Imzot Arjan Dodaj; të Nuncit Apostolik në Shqipëri, Imzot Luigi Bonazzi; Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra; Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Sh. e Tij z. Vincenzo Del Monaco; Aljula Jubani, Drejtore e Institutit të Studimeve Evropiane, UT; Anton Gojçaj, Studiues; Át Vitor Demaj, Drejtor i Botimeve Françeskane. Morën pjesë klerikë dhe personalitete nga radhët akademike bashkë me një publik të censhëm. Gjatë veprimtarisë u vu në dukje rëndësia aktuale  e veprës së At’ Anton Harapit dhe At’ Gjon Shllakut. 

U pushkatuan në kulmin e krijimtarisë së tyre duke lenë pasoja të rënda për kulturën shqiptare dhe për Kishën Katolike.  Vdiqën si martirë, u pushkatuan, por vijon edhe sot e kësaj dite ti ndjekë padrejtësia, sepse ende nuk e kanë nji varr të tyre dhe për veprën e tyre publikisht flitet pak dhe aspak. Të dy ishin mendimtar dhe filozof të shquar, nuk u pajtuan kurrë me marksizmin dhe komunizmin. Sipas tyre, filozofia markisiste e redukton qenien njerëzore duke e privuar nga cilësitë qensore të tij si liria, vullneti, dhe ndërgjegjja. 

Kështu dy françeskanët martirë, të cilët duke u ‘ringjallë përmes faqet e librave të tyre’ të posabotuar nga sivëllezërit, kërkojnë vetëm një gjë: t’i njihni, duke i lexuar!