Këlliçi: Foltorja, aplikim i demokracisë së drejtpërdrejtë. Berisha rithemeloi marrëdhëniet me SHBA-të

Deputeti demokrat Belind Këlliçi, në një intervistë me Skype me moderatoren Armela Ferko, në Syri Tv, foli për zhvillimet në PD dhe Foltoren e Sali Berishës.

Këlliçi theksoi se Foltorja është aplikim i drejtpërdrejtë i demokracisë, duke shtuar se Sali Berisha rithemeloi marrëdhëniet me Amerikën.

“Ju do shihni Kuçovën në Foltore, e kjo tregon se demokratët duan demokracinë. Foltorja po bën të mundur aplikimin e demokracisë së drejtpërdrejtë. Berisha është ai që ka themeluar raportet me SHBA, është ai që ka takuar 5 presidentë amerikanë, ka pasur raporte personale me Bushin e Vjetër dhe titullarët më të mëdhenj amerikanë gjatë këtyre viteve. Berisha rithemeloi marrëdhëniet me SHBA-të.

Nuk ka demokrat antiamerikan. PD duhet të rithemelohet, kjo është jetike. Kur flet Kuvendi Kombëtar, organet e tjera në parti duhet të heshtin. Është jetike ringritja e institucioneve në PD dhe Partia Demokratike duhet të funksionojë me institucione. Ne kemi nevojë për PD të vërtetë e demokratike”, deklaroi Këlliçi.