Derrat, si truproja për sigurinë e avionëve?! - Aeroporti holandez nis eksperimentin

Derrat mund të mos fluturojnë në të vërtetë, por ata mund të luajnë rol për të mbajtur të sigurtë, fluturimet ajrore. Aeroporti Schiphol i Amsterdamit ka punësuar 20 derra si pjesë e një projekti pilot që synon të reduktojë numrin e përplasjeve të shpendëve me avionët.

Përplasjet midis avionëve dhe zogjve të mëdhenj si patat, mund të përbëjnë rrezik serioz, veçanërisht nëse kafshët thithen nga motorët. Aeroporti regjistroi 150 goditje nga zogjtë në vitin 2020, tha zëdhënësja e "Schiphol", znj. Willemeike Koster për CNN të mërkurën, dhe projekti me derrat tani është një nga masat që aeroporti po merr në përpjekje për të ulur numrin e përplasjeve të shpendëve me avionët.

Projekti përfshin derrat që kërkonin ushqim në një ngastër prej 5 hektarësh, ku panxhari i sheqerit ishte korrur kohët e fundit në mes të dy pistave të avionëve,  njoftoi aeroporti në një deklaratë për shtyp kur shpalli projektin në shtator.

Derrat u siguruan nga Buitengewone Varkens, një kompani e vogël e fermave të derrave që rrit kafshët.

Aeroporti "Schiphol" shkoi tek kjo kompani dhe e pyeti nëse derrat mund të çoheshin dhe të hanin mbetjet nga të korrat, pasi ato mbetje i tërheqin shumë patat dhe zogjtë e tjerë, i tha CNN të mërkurën, bashkëpronari i kompanisë, Stan Gloudemans.

Përfitimi i parë është se derrat ndihmojnë për ta bërë zonën më pak tërheqëse për zogjtë, sepse iu heqin një burim ushqimi, shpjegoi Gloudemans.

Përfitimi i dytë është fakti se, si mishngrënës, derrat do të përpiqen gjithashtu të kapin patat që ulen në fushë për t'u çlodhur, shtoi ai.

Pavarësisht se derrat nuk mund të vrapojnë aq shpejt sa të kapin patat, përpjekjet e tyre për ta bërë këtë do të thotë se do të veprojnë si dordolecë të gjallë dhe do t'i trembin zogjtë, tha ai.

Ferma e Gloudemans prodhon rreth 300 derra në vit.  Ata zakonisht përdoren në Holandë për të pastruar barërat e këqija ose mbetjet e të korrave në ara,  por jo që të jenë pjesë e masave të sigurisë së avionëve, tha ai.

"Kjo ishte kërkesa më e çuditshme që më është bërë," tha Gloudemans, duke shtuar: "Herën tjetër ndoshta do të më kërkojnë të tremb hajdutët apo diçka e tillë."

Aeroporti Schiphol tha se suksesi i projektit do të matet duke analizuar aktivitetin e shpendëve në zonë gjatë kohës kur derrat ishin të pranishëm, krahasuar me atë kur nuk ishin të pranishëm.

Aeroporti tashmë punëson 20 kontrollues zogjsh, të cilët punojnë gjatë gjithë kohës për t'i mbajtur zogjtë larg, duke përdorur teknologji të tilla si rrezet lazer dhe tinguj. 

Aeroporti gjithashtu mbjell lloje të veçanta bari për ta bërë zonën "sa më pak tërheqëse për zogjtë", tha Koster.

Projekti pilot gjashtëjavor përfundoi javën e parë të nëntorit, tha Koster, duke shtuar se ishte "informativ". 

Të dhënat e mbledhura do të shqyrtohen në muajt e ardhshëm dhe një vendim për përdorimin afatgjatë të derrave pritet në fillim të vitit të ardhshëm, tha ajo.