Formula 1/ ‘Luftë’ deri në fund mes Verstapen dhe Hamilton, skenarët si shpallet kampioni i Botës

Botërori i Formulës 1 tashmë po i drejtohet fundit, teksa kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe dy gara (më 5 dhjetor në Arabinë Saudite dhe më 12 dhjetor në Abu Dabi).

Lufta për titullin kampion është më e ndezur se kurrë, me Max Verstapen që kryeson me 8 pikë më shumë se Lewis Hamilton.

Holandezi i Red Bullit, jo vetëm që i limitoi në maksimum dëmet në Çmimin e Madh të Katarit, ku u rendit i dyti, por ai gjithashtu arriti të fusë në “xhep” edhe pikën bonus të xhiros më të shpejtë.

Tashmë piloti holandez do të udhëtojë në Arabinë Saudite duke pasur mundësinë e “match point”-it për titullin kampion.

Ashtu sikurse Losail edhe në Xhedah, kemi të bëjmë me një pistë debutuese.

Max Verstapen mban vendin e parë në kampionat, teksa ndodhet në kuotën e 251,5 pikëve, ndërsa Lewis Hamilton e ndjek me 343,5 pikë.

Ndryshe nga sa jemi mësuar në vitet e fundit, me kampionin britanik që e ka “vrarë” Botërorin, duke e marrë titullin me diferencë të madhe pikësh nga rivalët, tashmë kemi krejtësisht një tjetër skenar.

Kjo falë paraqitjes fantastike të Verstapen, i cili është pranë kurorëzimit të ëndrrës, për të fituar Botërorin e parë në karrierë.

Ndonëse mundësitë që titulli të vendoset në garën e radhës më 5 dhjetor në favor të Verstapen nuk janë shumë të mëdha, le të shikojmë se cilët janë skenarët që do të vulosnin kampionatin në favor të 23-vjeçarit holandez.

Verstapen shpallet kampion bote në Arabinë Saudite nëse:

-Fiton garën dhe bën xhiron më të shpejtë, ndërsa Hamilton nuk regjistron rezultat më të lartë se vendi i shtatë.

-Fiton garën dhe Hamilton nuk shkon më shumë se vendi i tetë.

-Renditet në vend të dytë dhe siguron xhiron më të shpejtë, ndërsa britaniku nuk shkon më shumë se vendi i dhjetë. -Renditet i dyti, ndërsa Hamilton nuk futet në zonën e pikëve.