Vetëvrasja tragjike e një populli

Dëgjova mbrëmë në ‘Opinion’ një pjesë të intervistës që Blendi Fevziu kishte realizuar me Aqif Selimin në vitin 2010. Nuk kisha dëgjuar apo lexuar asnjëherë më parë për të. Por jam mahnitur.

Jo nga fakti që një i moshuar 84-vjeçar kishte një kujtesë të admirueshme dhe arrinte të rindërtonte me detaje të gjithë kalvarin e vuajtjeve dhe torturave që kishte përjetuar gjatë regjimit komunist. Por nga forca e jashtëzakonshme e karakterit të tij.

Ku e gjen forcën një njeri të mos urrejë, pasi ka kaluar 30 vite burg dhe tortura çnjerëzore vetëm sepse pa një ëndërr? I përmendte me emër të gjithë persekutorët dhe torturuesit e tij. Por asnjëherë me urrejtje. Përkundrazi, teksa rrëfente historinë e tij, të denjë për një skenari filmi në Hollivud, shpesh qeshte.

Me një kthjelltësi të admirueshme tregonte historinë se si e kishin dënuar me vdekje dhe për 400 ditë e net me radhë priste nga momenti në moment ekzekutimin. Duhet të ishte vetëm 18 apo 19 vjeç. Torturat çnjerëzore që i kishin bërë për muaj të tërë derisa e kishin detyruar të pranonte çdo akuze që i kishin stisur. Tentativat për arratisje nga burgjet e komunizmit, kapja nga partizanët grekë, qëndrimi deri në 20 dite pa ngrënë. Ku e gjen forcën një njeri të qeshë pasi i kanë shkatërruar jetën pa asnjë faj?

Nuk e di nëse jeton akoma. U përpoqa të gjeja më shumë intervista apo dëshmi të shkruara për të. Por më kot. Askush nuk e ka marrë mundimin të dokumentojë apo verifikoje historinë e tij të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për një pjesëmarrës në Luftën Nacional Çlirimtare, dëshmitar i dorës së parë në formimin e Partisë Komuniste dhe tradhëtinë e madhe, që e bëri Shqipërinë de facto një shtet vasal të Jugosllavise dhe shiti Kosovën.

Teksa kërkoja të mësoja më shumë për të dhe për historinë e tij, përpara më shpërfaqej dalldia e dhimbshme e rrjetit. Diku në studion e një emisioni, ku tallavaja e injorancës është e përbindshme, një konkurrenteje i kishte rënë të fikët. Mes Aqifit dhe Fifëve, Shqipëria ka kohë që ka zgjedhur Fifët. Injoranca është si bacilet. Ka vetinë të shumëfishohet. Mjerë ai popull që e mbyt veten kështu.