VIDEO-SYRI TV/ 82% e demokratëve do votonin Berishën për kryetar të PD

Lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha gëzon mbështetjen maksimale nga anëtarët e kësaj force politike, të cilët prej një muaji kanë pushtuar edhe foltoren

Në sondazhin e realizuar nga kompania italiane Noto që u transmetua në Ora News këtë të martë, Sali Berisha ka shpartalluar kreun aktual të Partisë Demokratike Lulzim Basha,  sa i përket mbështetjes në radhët e anëtarësisë.

Nëse zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike do të realizohen nesër, 81.9 % e anëtarëve të Partisë Demokratikë pohojnë se mbështesin liderin historik të demokratëve zotin Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Bashën e mbështet vetëm 10.8% të anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Të pyetur se cili mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës ka më shume aftësi për të fituar zgjedhjet e ardhshme dhe të për sjellë PD-në në pushtet, 88.3 % e anëtarëve të Partisë Demokratike kanë zgjedhur Berishën dhe vetëm 8.3 % e anëtarëve kanë zgjedhur Lulzim  Bashën.

Mbështetësit dhe anëtarët e PD janë pyetur edhe se kush ka qenë lideri me i mire që ka udhëhequr demokratët ndër vite. 

Diferenca në përgjigjet e demokratëve ka qenë e thellë edhe në këtë rast ku 91.4 % e anëtarëve deklarojnë se Sali Berisha ka qenë lideri me i mirë që ka udhëhequr PD-në, krahasuar me Lulzim Bashën që ka vetëm 4 % të votave të anëtarëve.

Demokratët janë pyetur nëse është e vërtetë se Basha dhe Rama kanë një pakt për të eliminuar Berishën nga politika shqiptare, teksa 58.4 anëtarëve janë shprehur se kjo është e vërtetë dhe vetëm 16 % se nuk është e vërtetë.

Të pyetur për konfliktin mes Berishës dhe Bashës, 87 % janë shprehur se ndihen më afër Berishës dhe vetëm 7.6 % më afër Bashës.

Për 97% të demokratëve të pyetur në sondazh, vendimi i Lulzim Bashës për të mos hyrë në zgjedhjet lokale të 2019 dhe djegia e mandateve ka penalizuar Partinë Demokratike duke ndikuar për keq.

87 % e anëtarëve të PD të anketuar nga Noto mendojnë se Berisha është më afër qytetarëve se Basha, të cilin e kanë zgjedhur vetëm 6.3% e anëtarëve.