‘Të krimbur në para, pengje të Ramës’/ Berisha rrëfen si e mashtroi Basha për vettingun e gjyqtarëve

Nga ‘Foltorja’ e Matit, ish-kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer disa episode dhe biseda me Lulzim Bashën, për të treguar se kreu i PD-së është gënjeshtar dhe ka shitur kauzat opozitare.

Në rrëfimin e tij para demokratëve matjan, Berisha tha se ka telefonuar Bashën, në mënyrë që PD të denonconte vettingun e tre gjyqtarëve, por Basha pasi ka thënë se do të merret me këtë punë, nuk e ka bërë denoncimin.

Sipas Berishës, Basha "u bashkua me Ramën në pengmarrjen e tyre" dhe përsëriti kërkesën që kreu i PD të japë dorëheqjen.

Berisha: E mora në telefon i thashë, o Lul! Gjyqtarët kanë bërë vettingun, dalin të krimbur dhe ua kanë fshehur vettingun, i mban peng Rama. Më tha mos u ndje njëherë se do merrem unë.

Edhe unë, natyrisht bëra gatin statusin ta denoncoja, por prita. Prita një javë, nuk tha asnjë fjalë. Çfarë bëri? U bashkua me Ramën në pengmarrjen e tyre. Atëherë zoti Basha, shko zgjidhi këto probleme. Jep dorëheqjen që nesër që partia të mos paguajë faturën tënde! Mos tento të dëmtosh pluralizmin.

Përgjegjësia do të jetë e jashtëzakonshme për pengun dhe për Edi Ramën. Ky është revolucion që nuk ka forcë në botë që e ndal. Revolucion që po zien aty ku ka shqiptarë.