Heroi i Kukësit në fitoren ndaj Tiranës, flet sulmuesi kroat: Dua t’u tregojmë të gjithëve në Shqipëri se...

Edi Basha ishte protagonist absolut për Kukësin në triumfin 2-1 ndaj Tiranës. Sulmuesi kroat shënoi golin e fitores për verilindorët, duke i dhënë tri pikë mjaft të rëndësishme skuadrës së tij ndaj një rivali direkt në kampionat.

Në mikrofonin e “SuperSport” ai theksoi se Kukësi do të luftojë deri në fund në garën për titull.

NDESHJA – “Ne morëm një rezultat të mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë. Dua t’u tregojmë të gjithëve në Shqipëri se jemi një ekip i mirë që luftojmë për vendet e para të renditjes”.

AMBIENTIMI – “Luaj në një kampionat cilësor dhe kjo më ka bërë të përshtatem më shpejt. Të gjithë lojtarët më kanë pritur sikur të jem një veteran dhe kjo gjë më ka ndihmuar shumë të përshtatem sa më shpejt, dua t’i falënderoj të gjithë”.

TITULLI – “Sigurisht që Tirana, po ashtu edhe Kukësi, janë dy ekipe shumë të mira, por ne jemi këtu për t’i marrë ndeshjet një e nga një dhe të shikojmë se kush do të triumfojë në fund”.