U kapën me kokainë në makinë, arrestohen dy persona në Lezhë

Policia e Lezhës ka arrestuar dy shtetas, të cilët posedonin dhe shpërndanin në qytet lëndë narkotike të llojit kokainë.

Këta dy persona, pas informacioneve të marra në rrugë operative se ishin të përfshirë në aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogës, u arrestuan nga shërbimet e policisë Kurbin teksa ishin duke udhëtuar me automjet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjet një sasi lëndë kokainë gati për shitje. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

“Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Vihen në pranga 2 shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike kokainë.

Sekuestrohet lënda narkotike kokainë e ndarë në doza, gati për shitje, dhe një automjet.

Shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën Operacionale në DVP Lezhë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa shtetas që lëviznin me automjet, posedonin lëndë narkotike kokainë, në Milot, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin e dyshuar tip “Renault”.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj drejtuesit të automjetit, shtetasit G.J., dhe pasagjerit në këtë mjet shtetasit G. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve G. J., 20 vjeç dhe G. S., 43 vjeç, banues në  Kurbin.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë.