Fryma e Foltores do të përhapet deri në rrëzimin e regjimit

Nëse Lulzim Basha do të kishte parësore interesin e Partisë Demokratike, ai do të kishte luftuar “me mish e me shpirt” që ta sillte atë në pushtet.

Pasi nuk e solli dot, duke dështuar jo 1 herë, as 2 e 3, por plot 4 herë rresht në garat elektorale të njëpasnjëshme, për t’i bërë asaj partie, të paktën shërbimin e fundit, duhet të kishte dhënë dorëheqjen duke i hapur rrugë një modeli tjetër të lidershipit, një projekti tjetër politik, një alternative tjetër për besimin e shumicës së votuesve shqiptarë. 

Lulzim Basha jo vetëm nuk e bëri këtë, por pasi i fundosi demokratët në 12 vite opozitë dhe keqtrajtim prej regjimit të Edi Ramës, doli hapur në qëllimin e tij për ta mbajtur Partinë Demokratike një instrument fals të pluralizmit dhe sjelljen e tij si një manekin i regjimit.

Lulzim Basha dhe regjimi që e menaxhon kishin gabuar rëndë në kalkulimet politike.

Demokratët shqiptarë, të vlerësojnë, të duan, të mbështesin, por shpirtin dhe interesat e tyre nuk i shesin, as për karrigen e L. Bashës, as për karrigen e kurrkujt e aq më pak kur interesat e tyre tradhtohen e shiten tek regjimi i Edi Ramës.

Ata të cilët bërtasin ekraneve se L. Basha është votuar veç para pak muajsh e nuk mund të gjykohet dot nga vota e demokratëve, janë ose ca të paditur ose kanë probleme të rënda me dinjitetin.

Ju kujtojë të gjithë avokatëve të regjimit të rikthehen pak e të mësojnë mbi parimin “recall election” !

Eshtë një nga parimet më fondamentale të Demokracisë dhe një nga mjetet më efikase të pjesëmarrjes në demokracinë e drejtpërdrejtë.

Kushdo mendon se do t’i asgjësojë parimet dhe mekanizmat demokratike për shqiptarët, jo vetëm gabon, por “i hap probleme” të rënda vetes.

Rasti i Lulzim Bashës, kur opozita zyrtare kthehet në fasadë të një regjimi korruptiv dhe një subjekt përdorimi nga pushteti, është jo vetëm rasti i parë në historinë e pluralizmit shqiptar, por do të jetë një objekt studimi i thellë.

Kontrasti i thellë me këtë nonsens politik, historik e shoqëror, për fat të mirë, feksi prej reagimit qytetar.

Përmes foltores dhe lëvizjes së saj, sot demokratët kanë arritur të krijojnë pikërisht atë për të cilën ankoheshim mes vetes se na mungonte për 8 vitet e shkuara. FRYMA!

Pikërisht sot është krijuar më në fund FRYMA, e cila as krijohet dot me sforcim e as ndalohet dot me forcë.

Kjo frymë veç do të vijojë të përhapet me shpejtësi deri në rrëzimin e regjimit.