Vdes ish-diktatori i Koresë Jugore, Chun Doo-hwan

Ish-presidenti i Koresë Jugore, Chun Doo-hwan, i cili ishte në detyrë në kohën e masakrës famëkeqe të studentëve në Gwangju, ka vdekur në moshën 90-vjeçare.

Chun vuante nga kanceri i gjakut dhe shëndeti i tij ishte përkeqësuar së fundi, u ka thënë gazetarëve ish-sekretari i tij për medie, Ming Chung-ki. Chun vdiq në shtëpinë e tij në Seul dhe trupi i tij do të dërgohet në një spital për zhvillimin e funeralit më vonë gjatë ditës.

Dikur komandant ushtrie, Chun e mbikëqyri masakrën e vitit 1980 në Gwangju ndaj protestuesve pro demokracisë, krim për të cilin ai më vonë ishte dënuar me vdekje, por ndëshkimi i ishte zbutur, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Chun e kishte udhëhequr Korenë Jugore për tetë vjet, pasi e kishte marrë pushtetin përmes puçit të vitit 1979. Gjatë gjykimit, ai e kishte mbrojtur këtë veprim, duke e cilësuar si të nevojshëm për ta shpëtuar kombin nga një krizë politike dhe kishte mohuar se kishte dërguar trupa në Gwangju.

Pushteti i Chun-it karakterizohej me brutalitet e shtypje politike. Megjithatë, gjatë asaj periudhe ishte rritur edhe mirëqenia ekonomike. Ai ishte tërhequr nga pushteti pas një lëvizje demokratike të udhëhequr nga studentët më 1987, kur ishte kërkuar sistemi i drejtpërdrejt elektoral.