Përfshihet nga flakët një autobus i Maqedonisë së Veriut në autostradë në Bullgari

Të paktën 45 persona kanë humbur jetën kur një autobus me targa nga Maqedonia veriore ka marrë flakë në një autostradë bullgare në orët e para të ditës së sotme, tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme bullgare.

Të paktën 12 fëmijë janë mes viktimave , raporton agjencia bullgare e lajmeve BGNES.

Në autobus ndodheshin 52 persona, shtetas të Maqedonisë së Veriut .

Shtatë viktima, të cilët arritën të shpëtonin nga aksidenti, u dërguan me urgjencë në departamentin e urgjencës në një spital të Sofjes, tha për BTV Nikolai Nikolov, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme bullgare.

Tragjedia ndodhi rreth orës 02:00 në një pjesë të rrjetit rrugor rreth 40 kilometra në jug të Sofjes.

Në vend ngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore.

'Shumica e viktimave ishin shtetas të Maqedonisë veriore', tha për BTV një diplomat maqedonas në Sofje.

Bashkë me kryeminsitrin e Maqedonisë Zoran Zaev për në Bullgari janë nisur edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe ai i Punëve të Jashtme Bujar Osmani për të vizituar të mbijetuarit.

Zaev informon se ekipe kompetente nga Maqedonia e Veriut janë dërguar në Bullgari.

 Ai shprehu ngushëllimet për të vrarët në aksident, për të cilin u informua personalisht nga presidenti bullgar Rumen Radev dhe kryeministri Stefan Janev.

Sipas BTA, kryeministri bullgar Janev ka shkuar në vendin e aksidentit dhe është shprehur se po vazhdojnë hetimet për aksidentin e rëndë.