Basha boton letrën e Elisa Spiropalit për të sulmuar Metën

E dinim që Lulzim Basha imiton Edi Ramën dhe përpiqet të ngjajë sa më shumë si ai. 

Tashmë është e ditur botërisht që PD-ja e sotme nuk ka ndryshim të madh nga partia në pushtet. 

Edi Rama kontrollon jo vetëm PS-në, por dikton edhe vendimmarrjen e Partisë Demokratike. Ngjarjet e fundit janë provë e fortë për ta konfirmuar këtë. 

Por Lulzim Basha nuk zhgënjen asesi. 

Madje ai shkon edhe më tej. 

Për të sulmuar Presidentin e Republikës, Ilir Meta, kryetari aktual i PD ka vjedhur fjalimin e Elisa Spiropalit. 

Frazat e përdorura nga ministrja e Shtetit në një letër publike që mban datën 9 qershor 2021, të mbushur me akuza dhe mllefe ndaj Metës, i ka huazuar edhe Lulzim Basha, në daljet mediatike të ditëve të fundit. 

Basha ka zgjedhur të sulmojë Metën me fjalët e Elisa Spiropalit. 

Për të krijuar një ide të qartë dhe konkrete se pse po e akuzojmë Bashën si agjent 'public relation' (PR) i Elisa Spiropalit, Syri.net sjell pjesë nga një fjalim i Elisa Spiropalit të datës 9 qershor dhe deklaratat e Lulzim Bashës pasditen e sotme në intervista televizive për Vizion + dhe Tv Klan. 

Elisa Spiropali (9 qershor 2021): 

"Nuk kanë të numëruar bëmat, gjëmat, shkeljet, gabimet, britmat, klithmat, ulërimat, e Presidentit tonë".

Lulzim Basha (22 qershor 2021): 

"Nuk ia zgjidhim dot hallet Ilir Metës. Demokratët ia njohin bëmat dhe gjëmat".

Enumeracioni letrat është identik. 'Bëmat' dhe 'gjëmat' siç i ka renditur Spiropali ashtu ka bërë edhe Basha dhe nuk është aspak rastësi që të dy kanë në shenjëstër të njëjtin personazh të politikës shqiptare, kreun e shtetit. 

Ajo që nuk dimë është se pse Lulzim Basha zgjodhi të botojë letrën e Elisa Spiropalit kundër Metës kur ai është i zoti mjaftueshëm në artikulimin e akuzave dhe sulmeve, sidomos ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. 

Ndoshta kështu ka qenë porosia nga shefi i tij, Edi Rama! 

Duke ditur që Lulzim Basha e ka shndërruar në normë tashmë që çdo ditë jep nga dy intervista televizive, mbetemi gjithë vëmendje të shohim nesër se letrën e kujt socialisti tjetër do të botojë për të sulmuar Ilir Metën dhe Sali Berishën...