Kryemadhi me kreun e OSBE: Politika nuk ka dhënë zgjidhje për zgjedhje të lira e të ndershme

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi priti ditën e sotme Kreun e Prezencës së OSBE në Shqipëri, Ambasador Vincenzo Del Monaco. Me një reagim në Facebook, Kryemadhi bën me dije se e ka falenderuar për rolin pozitiv të misionit për reformat që vendi ka ndërmarrë lidhur me shtetin e së drejtës duke nënvizuar nevojat që Shqipëria ka për përmirësim të vazhdueshëm, drejt një demokracie funksionale, që garanton të drejtat e njeriut dhe biznesit.

Po ashtu gjatë bisedës ajo është shprehur se LSI mbetet e angazhuar për një reformë më të plotë, për një sistem dhe ligj zgjedhor që mundëson barazinë e votës dhe e kthen pushtetin vërtetë në duart e sovranit.

“Mirëprita me kënaqësi ditën e sotme Kreun e Prezencës së OSBE në Shqipëri, Ambasador Vincenzo Del Monaco. Duke e falenderuar për rolin pozitiv të misionit për reformat që vendi ka ndërmarrë lidhur me shtetin e së drejtës, i nënvizova nevojat që Shqipëria ka për përmirësim të vazhdueshëm, drejt një demokracie funksionale, që garanton të drejtat e njeriut dhe biznesit. Masakra e 25 Prillit dëshmoi  se politika shqiptare nuk ka dhënë ende një zgjidhje të plotë e afatgjatë për zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj ne do të mbetemi të angazhuar për një reformë më të plotë, për një sistem dhe ligj zgjedhor që mundëson barazinë e votës dhe e kthen pushtetin vërtetë në duart e sovranit. Reformat me standarde reale, që rrisin besimin e qytetarëve tek institucionet dhe e ardhmja në Shqipëri, janë edhe rruga e vetme drejt integrimit në Bashkimin Evropian”- shkruan ajo.