Përplasja me Hysajn i kushton shumë, Danilo dëmtohet rëndë

Mbrojtësi anësor i Juventus ishte i pafat në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Lazios duke qenë se u dëmtua pas një përplasje me Elseid Hysajn. Braziliani e pati të pamundur të vazhdonte ndeshjen dhe menjëherë u kuptua se bëhej fjalë për një dëmtim të rëndë pasi për të lënë fushën e lojës u desh barrela ndërsa Danilo nuk i mbante dot lotët.

Ndërkohë, sot lojtari dhe klubi i Juventus kanë marrë përgjigjet e analizave teksa është mësuar se 30-vjeçari duhet të qëndrojë jashtë fushave të blerta për plot 2 muaj.

Danilo ka qenë një nga lojtarët më të përdorur nga trajneri i bardhezinjve Massimiliano Allegri, megjithatë ai nuk do ta ketë të gatshëm Danilon për ndeshje të rëndësishme si ajo e radhës ndaj Chelsea apo edhe nga ato në vazhdim me kundërshtarë si Atalanta, Napoli e Interi në Superkupë.