Berishën si produkt i PD-së, apo Bashën si produkt i Berishës?

Eshtë gabim i madh ta quash Edi Ramën një lider të fortë. Ata që e njohin apo që kanë ndjekur sadopak rrugëtimin e tij në politikë e dinë fare mirë se niveli i tij i lidershpit është nën mesataren. Glorifikimi nga spin doktorët e tij mediatikë, u bë me qëllim për të kompleksuar Lulzim Bashën, ndërsa dështimet e këtij të fundit në përballje i dhanë atij auerolën fake të të pathyeshmit. 

Rama është një lider i dobët! Si politikan nuk i ka shumë për zemër betejat dhe ishte ai që futi kulturën e shmangies nga debati.  

Njeri i kulisave, freskaxhi i zellshëm i shefave, thashethemaxhi oborri. Kështu njihej në qeverisjen socialiste të para 16 viteve. Në sherrin Nano-Meta të 2001-2002 do përkrahte atë që merrte kryeministrin, duke u hedhur sa në prehrin e njërit apo tjetrit.  

 Nga kasta e vjetër e PS-së, batutaxhiu i sotëm përdorej si tabelë batutash.Në rrjet është bërë virale një video me rromuzet e Ilir Metës që hidhte ndaj Ramës në vitin 2001. 

 PS-në e mori pa luftë me trafik influence dhe duke shpërndarë sa andej këndej leje ndërtimi për biznesmenë që dorovisnin delegatët e kongresit me qëllim që  të votonin për të.  Akuzati ka bërë  të qarta Petro Koçi në daljet publike të pas-humbjes së PS-së në verën e vitit 2005. 

Përballë Berishës, ai të vetmen betejë që e ka regjistruar si fitore ishte ajo e vitit 2007 përballë Sokol Olldashit. Dhe kjo për një sërë arsyesh. 

Mazhoranca e asaj kohe hynte në garë për zgjedhjet lokale mes një krize energjitike të paprecedentë. Pavarësisht se sistemi elektroenergjitik ishte një trashëgimi e menaxhimit skandaloz të qeverisë Nano, sërish gishti i fajit u drejtua nga Berisha për orët e stërzgjatura të mungesës së energjisë. E megjithatë edhe në atë situatë  po të mos ishte bashkëpunimi me LSI-në e Metës sërish ajo garë do vihej jo pak në diskutim. Siç u vu në diskutim fundja dhe fitorja Ramës në vitin 2000, ku Besnik Mustafaj për pak e riktheu në Paris. 

Ilir Meta do ishte faktori kryesor dhe në fitoren për zgjedhjet e vitit 2013-të, ku Rama ( për të mos përdorur një shprehje të kolegut Bushati) do i lutej për disa muaj rresht që të ikte nga koalicioni me PD-në. Pa votat e LSI-së atë kohë, sot lideri global,  do të kujtohej si ish- kryebashkiak, apo ish- kryetar i PS-së. 

 Çka e solli në pushtet ishte  tollovitja që i bëri mendjes së Metës në 2013-ën, ndërsa ajo që e mban ishte  intuita e gabuar e Sali Berishës pas humbjes. Ky i fundit fatin e partisë e vuri në duart e njeriu të gabuar. Doktori do duhej të zgjidhte një njeri partiak për të drejtuar partinë. 

Qëndrimi larg jetës partiake para se të marrësh benefitet që vijnë prej politikës do ishte handikap i madh për këdo. Karriera politike e Bashës ka qenë tava e pushteti ku ai ka marrë sa ka dashur. Nga jeta partiake ska mësuar sot e kësaj dite.  

 Në rast se vetë Berisha, është produkt i Partisë Demokratike dhe i rrethanave të themelimit të saj, Basha është thjeshtë produkt i Berishës. Por kjo sdo të thotë asgjë. Produke Berisha ka pasur shumë, por kjo sdo të thotë se të gjithë kanë qenë si ai. 

Përkundrazi!

Duhet thënë se përgjatë pushtetit të PD-së  Basha,  nuk ngjiti fort me antarësinë. Vihej re një lloj shkëputjeje nga ata që kishin milituar prej vitesh ndërsa administratën në isntitucionet ku drejtonte preferonte ta mbushte me njerëz të tij, shpesh pa asnjë lidhje me të djathtën. 

Partinë e mori  në sajë të mbështetjes së Berishës. 

Qëndrimi në Hollandë  gjatë kohës që PD ishte në opozitë mund ti jepte një stof disi perëndimor, por kurrsesi stofin e liderit të djathtë dhe qëndrestar. Prandaj sot ai smund ta kuptojë se çfarë ndjejnë ata njerëz që i janë bashkuar “Foltores”. 

 Eshtë një tjetër  arsye se përse ai  nuk e ka për gjë të ndjekë politika largimi, indeference apo dhe lincimi ndaj tyre. Parë në prizmin si e shikon Basha partinë, ata janë vërtet llum. 

 Shtysën për këtë shkrim e mora nga një batutë e një mikut tim, që do më thoshte se po merremi aq shumë me Bashën, sa po harrojmë zullumin e Ramës. Ka një nuancë të vërtet në thënien e tij por vetëm një nuancë ama. 

Opinion publik, antarësi, gazetarë jo më kot merren me PD dhe kryetarin e saj. Fakti që sot Rama është aty ku është, vjen kryesisht si  pasojë e një opozite të dobët.  

Në krahasim me paraardhësin e tij Edi Rama nuk ka një parti por një “stan me lepuj”. Imagjinoni një moment, sikur në pushtetin e para 2005-ës, Nano të kish rreth vetes këta që ka Rama sot… Pra të përballej me opozitën e Berishës duke vendosur në vijë të parë Elisën, Taulantin, Erjonin,  Borën, Fridën dhe mos kishte figura si Dokle, Bello, Malaj, Pëllumbin, Daden, Islamin, Angjelin, Ruçin, Rukën, Metën. Jo më kot Rama fshiu ata kohë pas kohe. I bënin hije dhe mund ti nxirrnin në pah mediokritetin e tij. 

Kryeministri sot nuk ka një skalion luftëtarësh politikë, por një korr papagajsh që flasin me komandë. 

Fatkeqësisht, Basha ra në kurthin e e ngritur nga e majta. Në vend të zgjidhte rrugën e të bërit opozitë, duke iu referuar histotrisë së PD-së, preferoi të ndërtonte “stanin” e tij. Ndihet në eter se e admiron drejtimin e partisë së modelit Rama. Lufta e fortë dhe konservatore i duket démodé. Pret që pushteti ti bjerë vetë në dorë apo postin e kryetarit ta shfrytëzojë për benefite. Ironike, apo jo. Harron që modeli Rama nuk ngjit tek demokratët. Njerzit nuk duan fotokopjen e së keqes kur kanë origjinalin. 

Prandaj opinioni i shëndoshë publik duket sikur ka harruar zullumet e Ramës. Shpresa e vetme që ky pushtet të përmbyset është opozita. Askush prej atyre që sot kritikojnë apo kërkojnë largimin e Bashës nuk e ka personale me të fundja. 

Revolta e tyre është e drejtë. Kishte kohë që ziente në fakt, Basha skishte sy ta shihte as veshë t’a dëgjonte.  Në atë post ishte  hija e doktorit që e mbante Bashën ende në karrige, dhe skishte pse e vriste mendjen shumë. Ai e përdori emrin e Sali Berishës ku mundi e sa mundi,  shembull janë  zgjedhjet e fundit për kryetar të PD-së. 

Sali Berisha bëri gabim që heshti!  Ai duhej ta kuptonte se Basha do sillej me të siç u soll dhe me të tjerët para tij, në mundësinë më të parë që do i jepej. Produkti i tij këtë herë ishte kallp. Kjo i kushtoi dhe po i kushton  shumë PD-së. 

Akoma më shumë i kushton Shqiptarëve. Qëndrimi i Bashës në krye të opozitës mund të mbajë Ramën dhe katër vjet të tjera  në pushtet, mos më shumë!