Mourinho e gjen shpresën nga stoli, talenti i jep tre pikë oksigjeni Romës

Roma e Jose Mourinhos ka arritur të arketojë 3 pikë të rëndësishme përballë Genoas në shtëpinë e këtyre të fundit në kuadër të javës së 13 të Serie A.

Pjesa e para u mbyll në barazim pa gola edhe pse Abraham arriti ta dërgonte topin në rrjetë në minutën e 16, por pas rishikimit me VAR u cilësua i parregullt për shkak të prekjes së topit më dorë nga sulmuesi anglez.

Në pjesën e dytë Roma po kërkonte me ngulm golin, por do ta gjente vetëm në minutën 82 me Afena Gyan. Do të ishte sërish talenti që do të dyfishte në shtesë për tu konfirmuar protagonisti kryesor i ndeshjes.

Duke folur pas ndeshjes, 18-vjeçari tha: “E falënderoj Zotin që ma dha këtë mundësi, pastaj trajnerin, tifozët dhe lojtarët për mbështetjen e tyre të mahnitshme.”

“Dua ta falënderoj edhe nënën time. Ajo është në Gana, ‘të dua’. Sonte m’u bë ëndrra realitet”, shtoi ai.

Ai u bë lojtari i parë i lindur në vitin 2003 që e shënon një gol në Serie A, e lërë më dy gola.

Mourinho e nxori atë nga ekipi i të rinjve të Romës për ta plotësuar numrin e lojtarëve në skuadrën e vet.