Interi i shkakton Napolit humbjen e parë në Serie A dhe i afrohet kreut

Interi ka marrë një fitore të artë, duke mposhtur 3-2 mes vuajtjesh Napolin në “San Siro”.

Ishte skuadra e Spaletit që kaloi e para në avantazh me një supergol të Zilinskit, por zikaltrit përmbysën gjithçka në pjesën e parë.

Fillimisht, Çalhanoglu ekzekutoi saktësisht një 11-metërsh të akorduar pas një prekje me dorë të Kulibalit, ndërsa Perisiç dërgoi Interin në avantazh pas një asisti nga goditja e këndit e turkut.

Në pjesën e dytë, skuadra e Inzagit shënoi dhe të tretin me Lautaro Martinez, që rikthehet te goli pas një muaji.

Por për të hapur ndeshjen mendoi Mertens, që lëshoi një silurë në minutën e 78-të.

Por vetëm kaq, Interi futet zyrtarisht në garën për titull duke u afruar me katër pikë nga kreu, ndërsa Napoli pëson humbjen e parë në kampionat.