Muriqi i rrëfehet një tifozi: Jam i shkatërruar moralisht

Pa Immobilen në fushë, Lazio nuk shënon dhe nuk fiton. Tridenti me Zaccagni, Felipe Anderson dhe Pedron si nëntësh fals nuk bëri asgjë kundër Juves. As sulmuesi shtatlartë Vedat Muriqi nuk arriti të linte gjurmë kur u fut në fushë, duke u ndalur nga dyshja Bonucci-De Ligt.

Për pak centimetra kosovari mund të kishte shënuar golin e barazimit, teksa në rrjetet sociale disa tifozë shprehën zhgënjimin e tyre (edhe një herë) për mundësinë e humbur.

Megjithatë, kishte edhe nga ata të cilët i dolën në krah ish-futbollistin e Fenerbahçes. Një tifoz lazial i shkroi Muriqit në twitter, këto fjalë: "Përshëndetje Bishë, nuk funksionoi" , ndoshta duke iu referuar me keqardhje aventurës zhgënjyes deri më tani tek bardhekaltërit. Nuk mungoi as përgjigja e Muriqit, i cili u shpreh: "Faleminderit që je gjithmonë pranë meje, vëlla, por “Pirati” tashmë ka vdekur (moralisht)”. Muriqi e pranon se po përjeton trishtim të thellë.