La Liga: Espanyol kritikon arbitrimin pas humbjes kundër Barcelonës

Pas humbjes në derbin e Barcelonës në Camp Nou kundër Barçës (1-0) , Espanyol nuk e fshehu zemërimin lidhur me penalltinë e fituar dhe transformuar në gol nga Memphis Depay në fillim të pjesës së dytë për t'i dhuruar fitoren blaugranëve. “Espanyol meriton respekt, lojtarët dhe tifozët meritojnë respekt. Kjo është ajo që mund të them, kjo është ndjenja që kemi për momentin”, tha fillimisht drejtori sportiv Francisco Joaquin Perez Rufete në fund të sfidës.

Ndërsa për lojtarët, sulmuesi Raul de Tomas, i cili goditi shtyllën dy herë në fund të ndeshjes, ishte më i drejtpërdrejtë: “Për mua, nga fusha, penalltia më dukej si shaka”.

Kapiteni i Pericos, David Lopez gjithashtu komentoi gabimin e arbitrit, Carlos del Cerro Grande: “Jemi të inatosur sepse klubi ynë dhe mbështetësit tanë meritojnë më shumë respekt dhe nuk mund të heshtim. Duhet ta themi dhe të jemi të sinqertë.”