Sot, Bullgaria zgjedh presidentin

Bullgarët votojnë të dielën për të zgjedhur presidentin, një post kryesisht ceremonial që kreu aktual në detyrë i shtetit e ka vendosur në zemër të betejës politike kundër korrupsionit në vendin më të varfër të BE-së.

Rumen Radev, konkurrenti kryesor që grumbulloi 49 për qind të votave në raundin e parë të mbajtur javën e kaluar përballet me akademikun Anastas Gerdjikov, pasi asnjë prej tyre nuk siguroi dot mazhorancën.

Ndërsa Radev, një ish-pilot ushtarak, është politikani më popullor i vendit, vetë Bullgaria është e përçarë nga partitë e fragmentarizuara politike, të cilat dështojnë në formimin e një qeverie të qëndrueshme, që po dështon në luftën ndaj korrupsionit dhe situatën e krijuar nga pandemia.

“Ky proces elektoral është një përplasje vizionesh; mes tolerancës për korrupsionin endemik dhe opozitës ndaj një modeli qeverisjeje që përdor pushtetin për qëllime private”, komentoi më herët gjatë javës profesori i shkencave politike Antoniy Todorov.

Një fitore e pastër për Radev, 58 vjeç, mund ta fusë vendin në një periudhë stabiliteti politik, pas fitores surprizë të zgjedhjeve të treta të përgjithshme të mbajtura këtë vit nga partia anti-korrupsion.