‘Askush s’e ka vizituar, ka të njëjtat rroba që nga dita e arrestimit’, detaje nga qëndrimi i Çalamanit në burgun e Vlorës

Gjatë ditës së sotme familjarët e Mateos 8-vjeçar së masakruar në Fier zhvilluan një protestë para paraburgimit të Vlorës ku mbahet vrasësi i fëmijës së tyre.

Ndërkohë Balkanweb ka dhënë detaje rreth qëndrimit në burgun e Vlorës të Klodian Çalamanit, autorit të vrasjes së 8-vjeçarit Mateo Vasiut. Sipas gazetarit të News24’, gjendja e Çalamanit paraqitet e qetë.

Aktualisht 38-vjeçari mbahet në izolim në ambientet e këtij burgu, për të shmangur çdo situatë të mundshme me të burgosur të tjerë. Mësohet se 38-vjeçarin nuk e ka vizituar askush nga familjarët e tij në burg, ndërsa asnjë prej të burgosurve nuk i ka ofruar veshje, duke mbajtur po të njëjtat rroba që ka pasur që prej ditës që u arrestua.

Kujtojmë se Çalamani nuk ka as përfaqësues ligjor, pasi edhe avokati i caktuar nga shteti nuk ka pranuar që të përfaqësonte këtë çështje. Vrasja e Mateos ka tronditur mbarë opinionin publik, ndërkohë që familja e tij po bën një peticion ku kërkon dënimit me vdekje të autorit.