E konfirmon ish-shoku i skuadrës: Aguero i ka dhënë fund karrierës

Lajm i tmerrshëm. I larguar para kohe nga fusha e lojës në ndeshjen ndaj Alaves, për shkak të problemeve në zemër, Sergio Aguero-s i duhet t’i japë fund karrierës në futboll në moshën 33 vjeçare.

Media të ndryshme në Spanjë dhe Argjentinë kanë bërë të ditur se Kun, golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e Premier League dhe pesë herë fitues i kampionatit anglez, nuk ka patur zgjidhje tjetër dhe për këtë arsye ka “varur këpucët në gozhdë”.

Samir Nasri, ish-shoku i skuadrës  te Manchester City, konfirmoi lajmin e trishtë në një prononcim për “Canal +”.

“Sapo më dërgoi një mesazh, për fat të keq është konfirmuar. Jam shumë i mërzitur. Përveçse është lojtari që të gjithë e njohin, i cili ishte një fenomen, ai është një djalë shumë i mirë, një person shumë i mirë. Nuk është se e zgjodhi, por fatkeqësisht u detyrua të ndalonte së luajturi futboll.

E di dashurinë që ka për këtë sport dhe ta shoh të ndalojë kështu, më dhemb shumë. Është një njeri që e vlerësoj shumë.”