Liverpool fiton me ‘poker’ derbin ndaj Arsenal

Liverpool ka arritur të regjistrojë një fitore të thellë ndaj skuadrës së Arsenalit.

“Të Kuqtë” kanë triumfuar në Anfield me rezultat të thellë prej 4-0, në një ndeshje totalisht të dominuar nga ta.

Sfidën e hapi Sadio Mane i cili realizoi gol në minutën e 39-të të ndeshjes pas një asistimi të bukur nga Trent-Arnold, gol me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Diogo Jota dyfishoi epërsinë për skuadrën e tij duke realizuar një gol të bukur pasi mori një top nga mbrojtësi i majtë kundërshtar, Nuno Tavares.

“Reds” brenda katër minutave regjistruan edhe golin e tretë dhe të katërt të ndeshjes, fillimisht me Mohamed Salah i cili realizoi në minutën e 73-të, gjersa në minutën e 77-të realizoi edhe sulmuesi japonez, Takumi Minamino, për t’i dhënë një fitore të thellë skuadrës së tij përballë Arsenalit.

Me këtë fitore Liverpooli ngritet përkohësisht në pozitën e dytë me 25 pikë të mbledhura, gjersa Arsenali mbetet në kuotën e 20 pikëve, e pozicionuar në pozitën e pestë.

Liverpool kështu i’a ndërprejnë ecurinë e 10 ndeshjeve pa humbje në të gjitha kompeticionet Arsenalit, gjersa “Gunners” mbeten pa fitore në Anfield që nga shtatori i vitit 2012.