Rama 'kërcënon' bashkiakët për Zoton: Bashkitë, zero para nëse nuk paguajnë inceneratorët

Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar sërish bashkiakët e emëruar prej tij se nuk do të marrin asnjë ndihmë financiare nga buxheti i Shtetit, në rast se nuk dorëzojnë mbeturinat në landfillët privatë të grupit me personazh kryesor të dukshëm Klodian Zoton.

Gjatë një takimi të zhvilluar paraditen e së Shtunës në Durrës, Rama tha se disa Bashki lejojnë krijimin e landfilleve të paautorizuar dhe shmangin bashkëpunimin me ato që ai i quajti inceneratorë, por që në fakt nuk janë ende të tillë.

Kjo nismë kërcënuese e kryeministrit pason qëndrimet e mëhershme të qeverisë së tij për të bllokuar qeverinë lokale që të menaxhojë si duhet depozitimin dhe përpunimin e mbeturinave.

Rasti më flagrant është situata që ndodhi këtë verë në Bashkitë e Durrësit, Shijakut dhe Kavajës.

Këto bashki depozitonin mbetjet e tyre në landfillin e Porto-Romanos. Por, qeveria vendosi ta mbyllë atë vend-depozitim dhe ta shndërronte në një Eko-Park.

Nga ana tjetër, qeveria nuk mbështeti asnjë projekt lokal për krijimin e vend-depozitimeve të reja, duke nxitur në këtë mënyrë krijimin e krizës mjedisore në kulmin e sezonit turistik.

Për të zgjidhur këtë krizë, kabineti Rama i ofroi këtyre bashkive si alternativë të vetme depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës në Tiranë, nën administrimin e koncensionarit Integrated Energy BV, me administrator të parë Klodian Zoton.

Tashmë, të tre bashkitë, Durrësi, Kavaja e Shijaku, si edhe më pas Kruja, janë detyruar që të nënshkruajnë kontrata me kushtet e paracaktuara nga kompania koncensionare, duke rënduar buxhetin e qytetarëve të tyre nëpërmjet rritjes së taksave të bashkisë.

Një situatë e ngjashme u përsërit edhe në bashkitë e Patosit, Mallakastrës e Lushnjes, të cilat u detyruan nëpërmjet “zjarrjeve të qëllimshme” që të depozitojnë mbetjet në landfillin e Fierit, e administruar nga “Integrated Technology Treatment Ëaste-Fier”.

Tashmë, në fokusin e kritikave të kryeministrit Rama për menaxhim të dobët të mbetjeve urbane janë bashkitë e Jugut, nga Vlora, Himara e më tej.

Këto kritika vijnë në një moment kur kompania e Klodian Zotos, “Integrated Technology Service” është duke përfunduar landfillin e Sherishtës, të fituar me një tender të zhvilluar në mungesë të plotë transparence.