VIDEO/ Terrori në Lezhë - Banda iku, Policia shpall në kërkim pronarin e lokalit dhe klientët!

Policia e Lezhës ka dhënë detaje të reja në lidhjen me videon e cila tashmë është bërë virale.

Në videon e publikuar shihen tre persona të armatosur dhe me maska në ambientet e një lokali në Lezhë të cilët ju kërkuan disa të rinjve kartat e identiteti dhe më pas u larguan.

Policia njofton se është verifikuar se ngjarja ka ndodhur në 13 nëntor 2021, në lokalin i cili ishte në pronësi të shtetasit A.L., në fshatin Zejmen, ku ky i fundit së bashku me klientët që ishin në lokal janë shpallur në kërkim.

DVP Lezhë-Informacion

Në lidhje me një video të publikuar në media dhe rrjete sociale, ku shfaqeshin disa persona të armatosur në një lokal, në aksin e vjetër Lezhë-Milot, ju bëjmë me dije se:

Shërbimet e Policisë Lezhë, sapo janë vënë në dijeni kanë organizuar  punën për identifikimin e lokalit dhe personave që shfaqen në video.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur më datën 13 nëntor 2021, në lokalin në pronësi të shtetasit A.K., në fshatin Zejmen dhe shtetasit që shfaqen në video, dyshohet se kanë pasur konflikt me pronarin e këtij lokali, i cili nuk ka qënë prezent.

Gjithashtu, bëjmë me dije opinionin publik se ngjarja nuk është raportuar në Polici, si dhe nga verifikimet ka rezultuar se nuk ka pasur vjedhje, as persona të dëmtuar.

Në vijim të veprimeve, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve :A.K. ,25 vjeç, banues në Zejmen, pronari i lokalit, F.B., 26 vjeç, M.V.,29 vjeç dhe I.A., 34 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, të cilët ndodheshin klientë në lokal, për vepren penale “Moskallëzim i krimit “, kryer në bashkëpunim.

Nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon puna intensive për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.