Ngjarja në Lezhë/ SYRI TV zbulon detaje të reja, ja kë kërkonin personat e armatosur

Një video ku shihen tre persona të maskuar dhe të armatosur duke hyrë në ambientet e një lokali bilardo në Lezhë dhe duke kërcënuar katër personat që ishin në një tavolinë tashmë është bërë virale.

Siç duket edhe në pamjet filmike tre personat pasi shohin identitetin  të rinjëve që janë në lokal, personat e maskuar dhe të armatosur dalin nga lokali dhe largohen.

Ndërsa sot Syri.TV mëson se ngjarja ka ndodhur në fshatin Zejmen një javë më parë, ndërkohë për këtë nuk ka ende asnjë denoncim në policinë e Lezhës.

Agresorët e maskuar dhe të armatosur pasi kanë bërë verifikimin e personave janë larguar, duke lënë të kuptohet se qëllimi i tyre nuk ishte grabitja.

 Burime informacioni jo zyrtare pohojnë për Syri Televizion se personat e armatosur po kërkonin një person që sapo ishte kthyer nga Italia.

Nuk përjashtohet mundësia që ky operacion i paligjshëm lidhet me ngjarjet e fundit kriminale, si vrasja e Xhelal Reçit në Kurbin apo Erigers Mihasit në Tiranë.

Dyshimet janë se agresorët po kërkojnë ndonjë prej personave të përfshirë në këto ngjarje kriminale.