Antimafia merr në pyetje miqtë siçilianë të Rezart Taçit, aplikohet “Omerta”

Prokuroria e Palermos ka nisur të marrë në pyetje personat që rezultojnë të jenë të implikuar në dosjen për transferimin e 19 milion eurove të mafies në një bankë në Shqipëri, ku i implikuar sipas SPAK është edhe biznesmeni shqiptarë Rezart Taçi.

I pari që ka dëshmuar ka qenë epiqendra e aferës, biznesmeni dhe ndërtuesi italian, Francesco Zummo, i cili është hetuar ndër vite disa herë, si i përfshirë në operacionet financiare të mafies siciliane.

 Zummo tashmë 90 vjeçar, sipas raportimeve të mediave italiane, ka zgjedhur të aplikojë ligjin e mafies siciliane “Omerta”, pra ka heshtur para prokurorit, duke ia lënë në dorë mbrojtjen vetëm avokatëve të tij.

Aktualisht ai gjendet nën masën e  arrestit në shtëpi, pasi ka pastruar dhe tentuar si në rastin e bashkëpunimit me Rezart Taçin, një pjesë të parave që i ishin sekuestruar nga drejtësia italiane.

I shoqëruar nga avokatët e tij është marrë në pyetje edhe Gioaçhino edhe Alberto Sbaçhi, të cilët njësoj si biznesmeni Zummo kanë qëndruar në heshtje.

Një strategji tjetër sipas mediave italiane është ndjekur nga bashkëpunëtori i tij, ekonomisti Fabio Petruzzella, i cili aktualisht është në burg dhe po i përgjigjet personalisht gjyqtarit-hetues Alfredo Montalto, duke deklaruar se të gjitha përgjimet janë veçse “fjalë”.

Petruzzella, i mbrojtur nga avokatët Roberto Tricoli dhe Luigi Miceli, gjatë marrjes në pyetje e ka cilësuar punën e tij si të ligjshme. Ai vuri në dukje faktin se lëvizja e parave kishte ndodhur në fazën në të cilën pasuritë e Zummo, (pasuri të paluajtshme, kompani dhe para në një vlerë totale prej 150 milionë euro), ishin liruar nga masat parandaluese të sekuestrimit.

Megjithatë, pas vendimit për sekuestrim, Gjykata e Lartë në Itali ka vendosur që pasuritë e biznesmenit Francesco Zummo, të cilat dyshohet se kanë lidhje me organizatën mafioze “Cosa Nostra”, të konfiskohen përfundimisht.

Zummo me ndihmën e Petruzzelës është përpjekur të shfrutëzojë kohën deri në zbardhjen e vendimit të Gjykatës së lartë dhe ka tentuar që paratë që tani i përkasin shtetit, të transferoheshin sa më shpejtë në llogari të ndryshme nëpër botë.

Petruzzella përpara prokurorit dhe gjyqtarit,  ka “rrëzuar” përgjimet duke pretenduar se nuk kanë, “Asgjë konkrete, por fjalë, vetëm fjalë”, citojnë mediat italiane.

Bëhet fjalë për 23 milionë euro, nga të cilët rreth 4 milionë duhet të kishin ndjekur kalimin drejt Hong Kongut ose Bahamas, kurse 19 milion drejt Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Petruzzella akuzohet se ka ndihmuar Francesco Zummo për të transferuar edhe nëpërmjet Rezart Taçit paratë nga dy llogaritë zvicerane në një bankë në Tiranë, por operacioni dështoi pas një bashkëpunimi në kohë mes antimafies dhe SPAK në Shqipëri.