'Shëtitësit e natës'/ Arrestohen babë e bir, vidhnin banesat në Ishull Shëngjin - Emrat

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht në Lezhë, pasi akuzohen për një sërë vjedhjesh të ndodhura në këtë qytet.

Shërbimet e Policisë Lezhë  kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin "Shëtitësit e natës". Si rezultat u bë e mundur arrestimi shtetasve Sokol Kolndreu, 67 vjeç dhe Arion Kolndreu, 25 vjeç, baba e bir, banues në Ishull Shëngjin, Lezhë. 

U procedua penalisht shtetasi: S Q., 21 vjeç, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi: M.K.,27 vjeç, banues në Shëngjin.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Ishull Shëngjin, Ishull Lezhë dhe Shëngjin, kanë vjedhur në disa banesa vegla punë dhe sende të tjera.

Po në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle në banesat e tyre, ku nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasve:S.K., dhe A.K., janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik me 4 krehra, një pistoletë me krehër me  fishekë, një armë e ftohtë thikë, përfocues grushti, doreza  dhe vegla punë të dyshuara të vjedhura.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Vladimir Qarrri, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë sportive, një armë gjahu dhe dylbi.

Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë ku dyshohet se janë të implikuar shtetasit e lartpërmendur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.