LDG bashkohet me ‘Foltoren’, Vokshi: 18 dhjetori miting përçarës, më 11 dhjetor merren vendime historike

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi, në një intervistë me moderatoren Armela Ferko në Syri Tv, lajmëroi se 70 përqind e grave në organizatën që ajo drejton do jenë në Kuvendin e 11 dhjetorit, të thirrur nga Sali Berisha.

Vokshi thekson se 18 dhjetori është miting përçarës, duke shtuar se më datë 11 dhjetor do të merren vendime historike për PD, duke e kthyer në parti të djathtë konservatore.

“Sali Berisha ka mbështetjen masive të demokratëve. Berisha është ai që dëgjon me vëmendje shqetësimet e demokratëve dhe është lideri historik i PD-së. 18 dhjetori është miting përçarës. Kjo tregon se Basha nuk e do partinë e tij, nuk e do PD-në, nuk ka asnjë lidhje me bazën e Partisë Demokratike. Edhe gratë e LDG kanë firmosur se do jenë në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe Bashës nuk i ngelet më njeri. Jam i zhgënjyer nga Lulzim Basha, sepse po përçan partinë, me thirrjen e bërë për datën 18 dhjetor. Zonjat që shkojnë më 11 dhjetor nuk do shkojnë më 18 dhjetor, pastaj është edhe në dëshirën e sekujt.

70 përqind e grave të LDG kanë firmosur se do jenë në Kuvendin e datës 11 dhjetor, të thirrur nga Berisha. Në Kuvendin e 11 dhjetorit pritet të merren vendime historike. Më 11 dhjetor PD do kthehet në parti konservatore të djathtë, duke u kthyer në origjinën e vet. Qeveria ka aleat oligarkinë dhe bandat kriminale. Basha duket i trembur për 4 200 firmat dhe kjo e ka bërë që të rrisë kërcënimet, por asnjë demokrat nuk frikësohet”, deklaroi Vokshi.