Riciklimi i Afrim Qendros/ Syrgjynosja pas skandalit të Unazës dhe rikthimi si prefekt i Tiranës

Në listën ‘gjëra të ndaluara’ për të besuarit e Rilindjes, pa dyshim që ‘prishja e imazhit’ është e renditur në majë fare.

Prandaj dhe pikiata e Afrim Qendros sapo kishte nisur, kur emisioni ‘Të Paekspozuarit’ u zbulua se një çunak i quajtur Avdiol Dobi (ne foto poshte) kishte fituar miliona euro për të ndërtuar një nga lotet e Unazës së Re me një kompani fantazëm. Qendros, në atë kohë, i ishte besuar posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Çunaku Dobi, lidhjet e të cilit u vërtetuan më vonë, rezultoi fitues i tenderit 18 milion euro nga ARRSH duke falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit në Delaware të SHBA, me kompaninë e tij të regjistruar në offshore dhe me bilance të falsifikuara.

 

Nuk kaloi shumë dhe Afrim Qendro u pa të hynte në Prokurorinë e Tiranës. Në janar të vitit 2019, ai u mor në pyetje për dy orë në prokurori, ku mohoi akuzat për implikim në një nga aferat më skandaloze të korrupsionit nën qeverisjen e Ramës. Qendro mbrojti veten dhe u deklaruar i pafajshëm. Në dalje tha se ishte i bindur se ARRSH kishte zbatuar ligjin, megjithëse DH Albania rezultoi një kompani e krijuar me dokumente false.

Pavarësisht kontributeve kur PS kishte qenë në opozitë, pavarësisht bashkëpunimit të hershëm me Ramën kur ky drejtonte Bashkinë e Tiranës, pavarësisht se firmën për tenderin e Unazës së Re me gjasë e kishte hedhur me urdhër, ai u konsiderua pa një pa dy, ‘delja e zezë’ në radhët e socialistëve.

Përmasat e skandalit qenë të tilla që duhej një reagim i fortë.

Disa javë më pas, Qendro u shkarkua nga detyra. Në media u shpërndanë pamjet, kur ai debaton me rojen e ARRSH, që e pengonte të hynte në zyrë, bashkë me punonjës të tjerë të larguar nga detyra. Mesazhi në publik qe i qartë: për sa kohë dyshohej implikimi në një aferë korrupsioni, Qendro nuk shihej me sy të mirë.

Për më shumë se një vit, ‘delja e zezë’ e Unazës së Re u zhduk nga qarkullimi. Deri kur Rama e emëroi si nënkryetar të Bashkisë së Vlorës në qershor të vitit 2020. Këtu u krijua një dualitet me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Lelin dhe shumë shpejt ai u projektua si drejtuesi i ardhshëm i Bashkisë së Vlorës.

Përfshirja në spiralen e konfliktit Rama-Leli, dalëngadalë e ndryshoi imazhin e Afrim Qendros. Në ndërkohë akuzat e prokurorisë së Tiranës për të dhe zyrtarët e tjerë të ARRSH-së ishin rrëzuar në heshtje. Në fund të vitit 2020, i akuzuari i vetëm për skandalin e Unazës së Re rezultoi se ishte Avdiol Dobi, vetëm me akuzën e ‘falsifikimit të dokumenteve’.

Nëse nuk do të kishte qenë refuzimi i Dritan Lelit për të dhënë dorëheqjen në duart e Afrim Qendros do të kishte kaluar për menaxhim një nga bashkitë më të mëdha në vend. Por duke qenë se Leli u kthye në pengesë, emri i tij u zhvendos në një institucion tjetër.

Në vendimin e fundit të qeverisë, Qendro është rikthyer si Prefekt i Tiranës, një post që e rikthen atë në drejtim të institucioneve të qeverisjes qendrore, por edhe që konfirmon rehabilitimin e tij të plotë nga kryeministri Rama.

Ky i fundit shpesh dëgjohet t’i kërkojë opinionit publik, që të mos e gjykojë për gabimet që bën, por për mënyrën se si reagon ndaj gabimeve. Riciklimi i Afrim Qendros tregon më së miri, se reagimi i Ramës ka vetëm një shpjegim: që ana e errët e skandalit të Unazës së Re nuk u zbulua kurrë dhe është ajo që imponon rikthimin në lojë të personit, që më herët, Lapsi.al e ka quajtur një dëshmitar të rrezikshëm, i cili di gjithçka për tenderin korruptiv të Unazës së re ku një kilometër kushtoi gati 20 milionë Euro.

/Lapsi.al