EMRAT/ Aksioni në dogana, reagon SHÇBA: Nuk kontrolluan mjetin me mallra kontrabandë, ja kush është arrestuar

Pas aksionit policor ditën e djeshme në doganën e Goricës ku u arrestuan 3 persona, SHÇBA ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar.

Në njoftim shkruhet se Vasil Shanto, Julian Hanelli dhe Petrika Mano janë arrestuar në flagrancë për shpërdorim detyre pasi po kalonin një sasi mallrash kontrabandë, nga Maqedonia drejt Shqipërisë.

Doganieri dhe përgjegjësi i policisë kanë lejuar futjen e mjetit pa kontrolluar.

Mjeti me drejtuesin u kap në aksin Goricë – Zvezdë. Të ndaluarit ndodhen në drejtorinë vendore të policisë për veprime të mëtejshme proceduriale.

Njoftimi zyrtar:

Korçë – Nga informacionet e marra në rrugë operative, SHÇBA Korçë finalizoi operacionin “Shoqëruesit”, pasi rreth orës 17:10, ditën e djeshme, në aksin rrugor Dogana Goricë – fshati Gollomboç u bë kapja në flagrancë e shtetasit V.N. drejtues i mjetit tip “Ëolsvagen Sharan”, ku pas kontrollit në mjet janë gjetur produkte të ndryshme mallrash të futura kontrabandë nga Pika e Kalimit Kufitar Goricë.
SHÇBA Korçë ka bërë ndalimin dhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit, shtetasit V. N., i dyshuar për veprën penale “Kondrabanda me mallra të tjerë”.

Gjithashtu, pas veprimeve të para hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, u bë arrestimi në flagrancë:

– N/komisar J. H., 39 vjeç, me detyrë punonjës policie Përgjegjës Turni në PKK Goricë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
– P. M., 41 vjeç, me detyrë Doganier në Doganën Goricë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

Arrestimi i punonjësit të policisë u krye pasi nga veprimet e para proceduriale të kryera në lidhje me këtë ngjarje, ka rezultuar e provuar se në momentin kur mjeti me drejtues shtetasin V.N. është paraqitur në hyrje të RSH, punonjësi i policisë J.H. në bashkëpunim me punonjësin e doganës shtetasin P. M. kanë lejuar kalimin e mallrave kontrabandë duke bërë dhe shoqërimin e mjetit deri në vendin që ai është kapur nga policia gjyqësore e SHÇBA.

Në lidhje me këtë ngjarje u referuan materialet proceduriale në gjendje të lirë për punonjësin e policisë:

– Inspektor E.Ç., 21 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist Kontrollor në PKK Goricë për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Materialet u referuan për hetime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.