Salianji: Firmat janë false, thërrasin Kuvend sikur po na ftojnë në dasëm

Për deputetin Ervin Salianji ka vetëm një Kuvend të Partisë Demokratike dhe ai është me 18 dhjetor. 

I ftuar në emisionin “Frontline” me Marsela Karapanço, Salianji ka sfiduar hapur me nxjerrjen e firmave të Korçës të cilat sipas tij një pjesë janë të falsifikuara dhe janë firmosur nga persona që nuk janë delegatë.

“PD me një venim kolegjial të saj me Kryesinë ka vendosur t’i hapë rrugë Kuvendit Kombëtar. Ka vetëm një Kuvend dhe ai është me 18 dhjetor. Data 11 janë mitingje, të gjithë janë të lirë të bëjnë çfarë të dojnë. Çfarë do Kuvendi duhet të ketë legjitimitetin, në zbatim të statutit. Nuk po na ftojnë në dasëm, Kuvendi nuk është dasëm. Ka pasur një kërkesë për Kuvend për shkak të një blofi me firmat, disa prej tyre të falsifikuara. Unë i sfidoj nga këtu, janë disa dosje, kam edhe unë.

Këto janë blofe që tollovisin dynjanë. PD duke parë mosmbështetjen dhe piruetën e kasafortës me propozim të kryetarit vendosi të mbledhë Kuvendin. E mbush sallën edhe Suel Çela por nuk ka lidhje me PD-në. Janë njerëz që duhet të verifikohen dhe partia i verifikon. Kartat për delegatët i shpërndan partia. Merrët karta dhe vjen në Kuvend për t’u verifikuar bashkë me kartën e identitetit. I sfidoj, nxirrni listën e Korçës dhe janë të falsifikuara. Ka pasur falsifikime, presione, ata nuk kanë firma. Po të funksionojë me kam disa firma atje nuk ecet kurrë. Të mblidhte 4 mijë demokratë Berisha nuk është e vështirë, por nuk janë delegatë. Ka një statut, set rregullash. Edhe Fatos Nano ka bërë një lëvizje të tillë, i mbushte sallat”- tha ai.

Lidhur me mundësinë që Kuvendi i 11 dhjetorit ka për të shkarkuar Lulzim Bashën, Salianji tha se asnjë Kuvend nuk ka këtë tagër dhe se e gjitha është një tollovi.

Sipas tij përgjgjegjës për vendimet në PD për këto 8 vite është më shumë Berisha se Basha.

Ai shtoi e PD-ja e vendosur përballë SHBA-ve ka zero mundësi për të fituar.