Basha zbaton kërkesën e Ramës: Do përjashtoj Berishën nga PD

Pasi hedh akuza se në ‘Foltore’ janë bërë pjesë ish-zyrtarë dhe njerëz të inkriminuar, Lulzim Basha thotë se do të zbatojë kërkesën e Edi Ramës, përjashtimin e Sali Berishës nga PD.

Gjatë një interviste për OraNews, Basha është shprehur se në 18 dhjetor do t'i jepet fund pushtimit të PD-së, duke larguar të gjithë uzurpatorët.

‘Beteja bëhet në emër të të ardhmes së Shqipërisë. Minimumi i minimumit është që ata që demokratët i kanë pasur përballë, të mos kenë guximin të mos afrohen as 1 kilometër në selinë e PD dhe vendit ku do të mbahet Kuvendi i PD.

Ndaj për këtë do të përgjigjem qartë; nuk ka asnjë shans që ata, që një pjesë e kemi nxjerrë nga zyrat e shtetit me ligjin e dekriminalizimin dhe pjesën tjetër do t'i nxjerrim nga zyrat bashkë me Edi Ramën, të vijnë dhe uzurpojnë PD.

18 dhjetori është dita e PD-së është dita e dhënies fund të tollovisë për interesa personale të Sali Berishës, e përgjigjes së merituar për Aqif Rakipët, Tom Doshët e Suel Çelajt, që pasi kanë kapur Ramën, mendojnë se do kapin dhe PD’, tha kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha.