Askush s'e ndal betejën që nis më 11 Dhjetor: Është shumica o budalla!

Kuvendi Kombëtar i 11 Dhjetorit 2021, nuk do të jetë as kuvendi i Kryetarit të Partisë, as kuvendi i kryesisë së Kryetarit dhe as kuvendi i kryetarëve lokalë.

Agjitatorët dhe patronazhistët e Edi Ramës për Lulzim Bashën, bëjnë sikur harrojnë që ky Kuvend është kuvendi i anëtarësisë së Partisë Demokratike, është kuvendi i njerëzve të lirë, delegatëve që përfaqësojnë vullnetin politik dhe mandatin përfaqësues të njerëzve të zgjedhur drejtpërdrejtë nga anëtarësia në qytetet, fshatrat, lagjet e Shqipërisë, atje ku është realisht ekzistenca e Partisë Demokratike.

Sot nuk ka më asnjë vlerë e pushtet statutor e asnjë peshë politike as vetë kryetari i partisë e asnjë institucion apo aktor tjetër brenda asaj partie, për sa kohë tashmë është aktivizuar Kuvendi Kombëtar.

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike - ai me anëtarët e PD, jo tallavaja me socialistët e Doganave dhe Tatimeve - është me statut, me kod e zakon, maja e fuqisë dhe pushtetit vendimmarrës në atë parti.

Coli me Lolin (apo Edi me Lulin) nuk kanë parë gjë akoma dhe as që arrin t’ua rrokë mendja se me çfarë do të përballen nga kjo furi e demokratëve, patriotëve dhe të pa kapurve, të këtij vendi.

Coli me Lolin, nuk e kuptojnë dot se tek demokratët partia nuk është tek Kryetari por tek anëtarësia, tek ata që nuk i blen e nuk i shet dot Edi Rama, tek ata që nuk i marrin dot peng qarqet më të egra antishqiptare.

Sot ka një numër të pakët avokatësh të Lulzim Bashës dhe modelit të tij politik e moral. Megjithëse ata janë një pakicë krejt e vogël, përsëri ata janë qytetarë të këtij vendi, janë në të drejtën e tyre politike e shoqërore.

Askush nuk mundet t’i paragjykojë apo gjykojë ata për zgjedhjen e modelit politik e moral që kanë bërë.

Është pjesë e lirisë dhe së drejtës së tyre personale të njehsohen me modelin politik e moral të Lulzim Bashës.

Por një emër e kanë e do ta kenë gjithmonë. Atentatorë të së drejtave të barabarta, asgjesues të standarteve demokratike, tampon të mundësisë për alternimin e një pushteti të zhytur në korrupsion e skandale.

Tashmë ky shërbim i tyre po bëhet gjithnjë e më i pavlerë.

Sot, përcaktimin e modelit të Partisë Demokratike për betejën që përgatitet të nisë nesër, e kanë marrë në dorë shumica dërrmuese e asaj partie. Demokratët e dinë mirë se beteja e tyre nuk nis e mbaron në Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit 2021.

Ai kuvend, do të jetë dhe do të mbetet historik, pikërisht për atë model që vendos e për atë betejë që nis. Kjo është beteja që nis nga një pjesë e kësaj shoqërie por që shkon në shërbim të gjithë shoqërisë. Kjo është beteja e njerëzve që prej 8 vitesh janë dhunuar në liritë dhe të drejtat e tyre më fondamentale. Qytetarëve që janë pushuar nga puna për bindjet e tyre politike.

Në Shqipëri kjo do të thotë të lësh pa bukë e pa ngrohje, pa strehim e pa mjekim, familjet e tyre. Demokratëve që janë arrestuar, burgosur e dhunuar birucave të policisë, pse dolën të protestojnë e të mos pranojnë hajninë e pushtetarëve.

Shqiptarëve që nuk ju hapet kurrfarë dere e nuk u jepet kurrfarë shërbimi publik, pasi konsiderohen kundërshtarë politik të Edi Ramës e rilindsve.

Lulzim Basha dhe avokatia e tij mund të mos i kenë patur këto probleme.

Madje mund të kenë pasur benefite, në administratë, biznese, punësime, premtime pushteti etj., por pikërisht këtu qëndron arsyeja e diferencës së madhe midis ekzistencës së një shumice dërrmuese që ka nisur betejën për ndryshim dhe një minorance pakice që reziston.

Demokratët e dinë mirë se nuk e kanë betejën vetëm me Lulzim Bashën por edhe me klanin mafioz të pushtetit dhe zgjatimet e tij, që ka marrë nën kontroll e nuk e lëshon vulën dhe disa institucione të partisë së tyre.

Ndaj beteja që ideohet dhe nis më 11 Dhjetor 2021, është beteja për Shqipërinë. S’ka atentat e atentator ta ndalë dot! Është shumica dërrmuese, fizike, shpirtërore e morale, qyteteve, fshatrave, rrugëve, shesheve të Shqipërisë, “o budalla” !