Muriqi, rrëfimi i rrallë i futbollistit 20-milionësh për Kosovën, Fenerbahçen e Lazion - Në SYRI KOSOVA

Ai njihet si hero, pasi, shpeshherë ka pasur një rol të tillë në shumë ndeshje futbolli ku ai luajti, pa marrë parasysh në lojërat me kombëtaren kosovare, apo, me ekipet tjera të futbollit, siç janë Lazio e Fenerbahçe. Fjala është për Vedat Muriqin, yllin kosovar të futbollit, i cili vjen në një rrëfim ekskluziv për Syri.net Kosova, ku ka folur për gjithë karrierën e tij e po ashtu, u “ngacmua” edhe për jetën e tij private. Ndjesia për të luajtur si lojtar që përfaqëson shtetin e Kosovës, eksperiencat interesante të ndodhura në fushë dhe jashtë saj si dhe planet familjare, janë vetëm disa nga pikat e kësaj interviste

Nga Çlirimtare Dukolli

Zbulohet data, ja kur do të luhet ndeshja e shtyrë mes Real Madrid dhe Athetic Bilbaos. Emri i tij në vete paraqet histori, emocion, krenari dhe shumë profesionalizëm. Gjitha këto karakteristika i takojnë Vedat Muriqit, futbollistit kosovar, i cili është në kulmin e shkëlqimit në karrierë.

Ndonëse shumë i angazhuar me stërvitje e lojëra, Muriqi ka dhënë një intervistë EKSKLUZIVE për Syri.net Kosova, ku si asnjëherë më parë rrëfeu disa eksperienca që nuk i kemi ditur. Me gjithë sinqeritetin e tij në përgjigje, Muriqi ndër tjera tregoi edhe momentin e sikletshëm pas nënshkrimit të kontratës me Fenerbahçen. Se çka ndodhi aty dhe detajet tjera, ja intervista më poshtë:

SYRI NET KOSOVA: Ju jeni nga Prizreni, si fillim na tregoni cila pjesë e Prizrenit iu pëlqen më së shumti?

MURIQI:  Po, unë jam nga Prizreni. Edhe pse nuk kemi shumë pushime brenda vitit, por, edhe kur kemi pak, një javë ose pesë ditë pushim kam dëshirë ta shfrytëzoj në Kosovë edhe natyrisht shkoj në Prizren si zakonisht. I kam krejt familjarët dhe shokët. Prizreni është i bukur, s’po mund të ceki një vend special, por, zakonisht kur dalim me shok si çdo qytetar shkojmë në pjesën e shatërvanit, pastaj  ka edhe shumë vende tjera, janë vendet historike që e bëjnë Prizrenin, PRIZREN...

SYRI NET KOSOVA: Karriera e juaj si futbollist ka nisur qysh herët, na përshkruaj pak fillimet tuaja?

MURIQI:  Karriera ime filloi shumë herët qysh në moshën diku 10-11 vjeç, kur edhe bëra hapat e parë në futboll, në klubin e qytetit “LIRIA”, pra,  klubin e Prizrenit. Shtytësja më e madhe ka qenë mami ,ajo ka pas shumë dëshirë që unë të luaj futboll dhe ka bërë shumë për mua, pastaj pas hapave të parë ka qenë edhe xhaxhai i cili më ka ndihmuar shumë, më ka ndjek dhe përcjell në sport, ai ka qenë hendbollist dhe m’i ka kaluar përvojat e tij mua, pra në çdo rast , kam fol me të dhe jam konsultuar… Falë këtyre dy personave unë jam sot ku jam, por sigurisht edhe falë të tjerëve, e normalisht besoj se kam pas shumë fat nga Zoti.

SYRI NET KOSOVA: Cila ka qenë eksperienca më emocionuese dhe cila më sfiduese në gjithë karrierën tënde deri më tani?

MURIQI:  Emocionuese hmm….Gjithmonë kur bëhet fjalë në futboll me emocione, nuk e di pse më shkon direkt mendja tek kombëtarja, unë kam luajtur me dy klube të mëdha me Fenerbahcen dhe tani jam në Lazio, por kur bëhet fjalë për emocione dhe ndjenja, mendja më shkon tek kombëtarja edhe mund të them më emocionuesja ka qenë ajo loja e parë kualifikuese kundër Finlandës edhe pse nuk jam inkuadruar në lojë. 90 minuta kam jetuar më të vërtetë shumë shumë emocione të mëdha, është thjeshtë e papërshkrueshme. Sa i përket momentit sfidues, ka qenë vendimi për me u largu nga Fenerbahce, sepse isha shumë mirë, kisha shënuar shumë gola, isha rehat aty por më erdhi një rast dhe thash dua ta sfidoj veten dhe për të marrë vendimin për largimin nga Fenerbahce ishte shumë e vështirë, por desha ta sfidoja veten.

SYRI NET KOSOVA:  Cili është momenti të cilin nuk do donit ta mbanit mend asnjëherë brenda fushës së gjelbër?

MURIQI: Po mund të them se momenti që nuk dua as ta rikujtoj ishte  lëndimi  i këmbës. Jo në lojë, por në stërvitjen me Fenerbahcen kur ishim para përgatitjes sezonale kur e pata lënduar muskulin e këmbës në një gradë (shkallë) shumë të lartë, dhe për shkak të atij lëndimi nuk më erdhi rasti të luaj në ndeshjen historike të shtetit tonë kundër Maqedonisë.

SYRI NET KOSOVA:  Ju jeni i martuar dhe keni dy fëmijë, na flit pak për familjen?

MURIQI: Po jam I martuar, kam dy fëmijë, jam shumë shumë i lumtur. Unë jam martuar herët edhe pse kur kam qenë shumë më i ri kam thënë se nuk do të martohem kurrë (qesh)… por ja që sot jam martu bile, bile  edhe dy fëmijë kam, kështu që kurrë mos thuaj kurrë. Djali tani bën 4 vjet ndërsa vajza është 1 vjecare. Falë Zotit kam një familje shumë të lumtur dhe të mirë dhe nuk mund ta paramendoj jetën pa ta, kështu që Zoti mos na qoftë të ndahemi jo vetëm unë por të gjithë ata që kanë familje.

SYRI NET KOSOVA:  Na ndaj ndonjë eksperiencë interesante apo qesharake që momentalisht po iu kujtohet gjatë karrierës?

MURIQI: Poo, raste qesharake kam shumë, sepse kemi punu me lloj-lloj njerëz dhe lloj-lloj trajnera dhe ka pasur raste që kemi qeshur me trajnera që kanë fol apo kanë pasur një trik që kanë bërë gjithmonë, por sa i përket interesant ka qenë kur u transferova nga Rizespori në Feherbahce, aty  isha me agjentin tim tre ditë dhe ishim 72 orë fiks pa gjumë, unë edhe ai, dhe më kujtohet kur përfunduam transferin dhe marrëveshjen të gjitha dhe ikëm në hotel ishte ora diku 6, 6 e gjysmë dhe ika në hotel kisha edhe valixhen me vete, dhe me një fjalë e gjujta veten në krevat dhe valixhen e kisha në dorë dhe thash të pushoj pak pastaj të flej, por, kur i hapa sytë një kohë kështu thash hajt qu të ndrrohna, por, ashtu me valixhe në dorë me jakne të gjitha që kisha përmbi më kishte zënë gjumi 8-9 orë dhe u pata zgju mbasdite, dhe ishte diçka shumë interesante për mua se nuk më kishte ndodh ndonjëherë në jetën time( qesh). ... Pastaj më kujtohet edhe një rast pas lojës, ku ndaloi njëri dhe po bërtiste NUHIU, NUHIU, dhe unë po e dëgjoja por nuk e ktheva kokën pas se nuk jam unë Nuhiu, pastaj më erdhi më kapi dhe m’tha “Po ndalo more burrë të bëjmë një foto”, tha hajde bëma një foto me Nuhiun,edhe unë nuk ja prisha hiç njëherë bëm foton, dhe i thash po unë jam Muriqi, më shikoj më tha jo bre jo ti je Nuhiu se nuk gaboj unë, dhe i thash okej unë jam Nuhiu…ky ishte një prej rasteve komike (qesh).

SYRI NET KOSOVA:  Duke qenë se jeni një ndër futbollistët më të dashur për publikun nga kombëtarja e Kosovës, na trego cili është goli më i dashur që keni shënuar për Kombëtaren?

MURIQI: Gjithmonë e kam thënë këtë që çdo gol që shënoj për kombëtaren e Kosovës ka vlerë,  edhe nëse është brenda ndeshje miqësore ka vlerë ose jo për mu është diçka shumë emocionale, por, nëse duhet ta cek  mund të them që goli kundër lojës me Çekinë ishte një gol që s’mundem ta harroj dhe ishte shumë emocionuese pasi edhe publiku ishte plot, pastaj vlen të përmendet edhe goli me Malin e Zi.

SYRI NET KOSOVA: Momentalisht, për fat të keq Kombëtarja e Kosovës nuk po përjeton ditët e saj më të mira, sipas jush ku po qëndron problemi, duke qenë se pësuam disfatë edhe nga një ekip sikur Jordania. Çfarë mendoni se nuk po shkon?

MURIQI: Po në fillim gjithmonë thosha se jemi një kombëtare e re dhe se s’kemi përvojë, tani  them se shumë shpejt kemi fituar një përvojë, nuk e kemi një ekip të dobët, kemi një ekip me individë cilësorë që kanë cilësi të jashtëzakonshme, kemi lojtarë të shpejtë, lojtar teknik, lojtar të fuqishëm, lojtar të fortë në duele, në ajër, kështu që jemi një ekip miks që përbën çdo element që i duhet futbollit. Çdo cilësi që kanë lojtarët e mundshëm, ne e kemi atë lojtar, por,  fatkeqësisht humbjet janë në futboll. Edhe po të humbësh brenda me Jordaninë, kjo s’ka të bëjë as me përvojën as asgjë sepse nuk është hera parë që luajmë me kundërshtar si Jordania brenda Kosovës. Ka qenë lojë që është dashtë të fitojmë para lojës me Greqinë, por janë këto gjëra në futboll, rëndësi ka që ne jemi një kombëtare shumë e mirë dhe shumë cilësore që në të ardhmen pretendojmë shumë.  

SYRI NET KOSOVA: A mendon se lojtarët e kombëtares që prej disfatës me Maqedoninë e Veriut akoma nuk e kanë marrë veten moralisht? A jeni i penduar që nuk luajtët në atë takim?

MURIQI: Nuk kam bërë diçka për t’u penduar. Isha i lënduar dhe me Covid-19.

SYRI NET KOSOVA:  Çka po ndikon në formën tuaj jo shumë të mirë tek Lazio. Sezonin e kaluar ishte përgatitja fizike po këtë sezon?

MURIQI: Po sezonin e kaluar  isha i lënduar pastaj isha edhe me Covid, me një fjalë i kisha të gjitha fatkeqësitë që mund të përjetoj një futbollist brenda një vit. Por,edhe në fund të sezonit më erdhi rasti për ta treguar veten por ja që futbolli ka këto gjëra dhe nuk munda me shfrytëzu. Ndërsa, sa i përket kësaj sezone vlen të ceket se kam një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë, siç është, Ciro Immobile, ngase ai nga ky moment është golashënuesi rekord i Lazios në gjithë historinë, dhe është normale të jem prapa tij. Po pres rastin që të kem paraqitje të mira dhe të vazhdoj tutje.

SYRI NET KOSOVA:  Minutazha e pakët në Lazio,  mendoni që po ndikon edhe tek paraqitjet me Kosovën?

MURIQI: Po në përgjithësi kur nuk luan në klub, normalisht se ndikon. Edhe  unë për fat të keq e ndjej vet kur jam me kombëtaren dhe po luaj më herët kur kam bërë diçka brenda fushës tani e kam më të vështirë të reagoj njëjtë siç kam reaguar më herët, futbollisti kur nuk luan normalisht që shkon prapa dhe futbolli ka këto gjëra.

SYRI NET KOSOVA:  A jeni duke menduar për largimin nga skuadra italiane në ndonjë klub ku do të keni më shumë minuta për ju?

MURIQI: Po gjithmonë këto spekulimet qarkullojnë nëpër media. Unë kam agjentin tim kam klubin  që interesohen për mua, kështu që nuk është e drejtë të them unë se si të reagojnë, ngase Lazio ka investuar 20 milionë dhe normalisht se ata janë me një fjalë kështu patronët e klubit dhe do të vendosin për çdo gjë edhe për karrierën time.

SYRI NET KOSOVA:  Cili është raporti juaj me trajnerin e Lazios, dhe lojtarëve?

MURIQI: Kam një raport të mirë, ishte viti i parë më vështirë sepse mu desh të mësoja gjuhën italiane, pasi këtu nuk flitet anglisht në Itali, sidomos brenda klubeve. Tash në vitin e dytë e kam përpunuar shumë gjuhën italiane, dhe natyrisht tash raportet janë më të mira edhe me shokët edhe trajnerin pasi arrita të mësoj gjuhën. Për momentin nuk kam asnjë problem me lojtarët dhe asnjëherë në karrierën time nuk kam pasur probleme si me lojtarët si me trajnerët.

SYRI NET KOSOVA: Ku do ta shohim Vedat Muriqin në afatin e janarit?

MURIQI:  Ashtu siç e thashë në përgjigjen paraprake, vendos klubi.

SYRI NET KOSOVA: A mendoni se shkarkimi i Challandes ishte vendim i duhur? (Na ndaj ndonjë përvojë me të)

MURIQI: Në futbollin profesionist, këto gjëra ndodhin, shkarkohet trajneri, largohet futbollisti, unë vetëm dua të falënderoj trajnerin Challandes, pasi ai me të vërtëtë i është përkushtuar shumë Kosovës, e ka dashur shumë Kosovën, e ka dashur popullin e Kosovës dhe ka qenë shumë i zgjuar, e ka përvetësuar shpejt mentalitetin tonë dhe ka ditë ne shqiptarët në çfarë raste si reagojmë dhe ai ka reagu ashtu. Kemi bërë një rrugë të gjatë me të, mendoj që kemi arritur të ngrisim nivelin tonë falë trajnerit Challandes. Unë vetën e falënderoj,  sa i përket vendimeve siç e thash ne jemi futbliist profesionist, jemi në jetë profesionale, puna jonë ka këto gjëra dhe në përgjithësi nuk jemi ne futbollistët që vendosim , ne jemi profesionist na sjellin një trajner dhe vazhojmë tutje. Po flitet për kombëtare këtu dhe përgjegjës është Federata që vendos për këto gjëra, dhe neve na mbetet vetëm të bazohemi tek detyrat që trajneri na thotë.

SYRI NET KOSOVA: Për fund, e kemi parë që herë pas here jeni aktiv edhe në rrjetet sociale, madje edhe në TikTok  ku është bërë virale edhe një video ku shihesh me bashkëshorten… e pëlqeni këtë aplikacion? Ose cilin prej rrjeteve sociale përdorni më së shumti?

MURIQI: Po për shkak fëmijëve kur jam në shtëpi nuk po mundem me mbajt telefonin shumë në dorë sepse po interesohen edhe ata, por, kur po kam kohë të lirë më shumë unë përdori pak më shumë Instagramin edhe Twitter. / ÇLIRIMTARE DUKOLLI/ SYRI.NET KOSOVA