VIDEO/ Edi Paloka: Lulzim Basha të votohet, nëse anëtarësia nuk e do - të hapë rrugën

"Vendos shumica, jo vula, as karriget, as zyra. Nëse duan Lulzim Bashën le të vazhdojë të jetë kryetar dhe të na prijë që të rrëzojmë Edi Ramën. Nëse nuk e duan Lulzim Bashën ai të hapë rrugën nëse do PD-në". 

Kështu u shpreh kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka në një lidhe Skype me studion e Syri Tv me moderatoren, Juli Krisafi, duke komentuar situatën brenda PD. 

Paloka tha se Lulzim Basha duhet të votohet në anëtarësi dhe nëse ka shumicën me vete, atëherë le të prijë demokratët në përballjen me qeverinë. Në të kundërt, shtoi Paloka, kryetari aktual i PD duhet të hapë rrugën. 

Pjesw nga intervista 

Juli Krisafi: Keni bërë një propozim si zgjidhet ngërcci për firmat ku secila palë të dërgojë përfaqësuesit për verifikimin e firmave...
Edi Paloka:
Njëra palë pretendonte se nuk ekzstojnë formularët që nuk janë mbledhur. Pala tjetër nuk kishte besim që këto formularë t'ia dorëzonte palës që për fat të keq e quan kundërshtare brenda PD. Statuti për fat të keq nuk përcakton asgjë, nuk ka asgjë procedurë që të përcaktohet në statut apo rreugllorë se si procedohet në raste të tilla. 1/4 e delegatëve mbledh Kuvendin por nuk thuhet askund se si mblidhen firmat, ku dorëzohen firmat, kush i verifikon, verifikohen apo jo para se të shkohet në Kuvend. Dhe kjo solli ngërçin me të cilin u përballëm. Për të shuar mosbesimin mes dy palëve, i propozova palës që ka mbledhur firmat, u thash arrijmë të zgjidhim diçka nëse ju me përfaqësuesit tuaj dhe pala tjetër me përfaqësuesit e vet ulen në zyrën time dhe të verifikojnë. E para, nëse janë 4200 firma.

E dyta, këta që kanë firmosur a janë delegatë. Merret në telefon, zotëri kemi në dorë një formular me firmën tuaj, e keni firmosur apo jo. Dy palët mund të uleshin bashkë dhe të verifikonin çdo formular dhe delegat. Kur unë propozova këtë, njëra prej palëve propozon një Kuvend tjetër, në një datë tjetër. U hodhën poshtë të gjitha pretendimet e deriatëhershme. U tha fillimisht se nuk do të ketë Kuvend, jo nuk ka firma, jo të falsifikuara, jo procedura, në fund fare u pranua Kuvendi, por jo në datë 11, kur e kërkonin 4200 delegatët, por në datë 18. Pse të mos pranohej dhe të zhvillohej ky Kuvend në datën 11 dhe aty të debatonim, të merrnim vendime dhe shumica të vendoste. Kush ka shumicën vendos, e ka vendosur demokracia dhe përvoja qindra vjeçare e demokracisë. Nëse shumica e delegatëve ka një qëndrim ai është qëndrimi i PD. Nuk mundet pakica të vendosë mbi shumicën edhe nëse sot ka karrige, zyra, apo vulë në atë që është thjesht selia e PD. 

Juli Krisafi: A është prologu i ndarjes së PD në dy parti?
Edi Paloka:
Unë kam ende një shpresë të vakët, që po shuhet, do të dëshiroja që të mos kishte asnjë çarje mes demokratëve, por mesa duket jo të dyja palët e mendojnë këtë. Kur unë dëgjova në mbledhje Kryesie dy nënkryetarë partie që thanë në fund të fundit le të shkatërrohet PD, le të përçahet, të përçahet për çfarë? Që ato dy nënkryetarët dhe të tjerët aty të ndajnë ndonjë karrige që nuk i hyn në punë askujt? Pse duhet të pranojmë shkatërrimin e PD? Të flasësh për shkatërrim të PD me normalitet dhe qetësi, është më shumë se skandal. Kur ka njerëz që drejtojnë PD dhe mendojnë këtë mua më bën pesimist në aspektin e përçajes dhe divergjencave që do të ketë. Në këto kushte është e domosdosme që t'i japim fund kësaj historie sa më shpejt. Shumica të vendosë qoftë edhe për kryetarin se kush do të jetë, Lulzim Basha apo dikush tjetër. Këtë e vendos shumica, jo vula, as karriget, as zyra. Nëse duan Lulzim Bashën le të vazhdojë të jetë kryetar dhe të na prijë që të rrëzojmë Edi Ramën. Nëse nuk e duan Lulzim Bashën ai të hapë rrugën nëse do PD-në. Nëse kjo luftë bëhet që 3-4 veta të mbajnë ca karrige boshe, se s'kanë asnjë vlerë, kujt i duhet karrigia në opozitë qoftë edhe si nënkryetar, sekretar i një partie që mund të përfundojë me 5% në zgjedhjet që po vijnë. Pra, unë uroj që të mos shkojmë në këtë pikë. Nuk besoj se ka demokratë që do ta dëshironin këtë situatë. Edhe njëherë e them, le të vendosë shumica dhe të gjithë bashkë le të shkojmë pas atij që shumica do të vendosë.