Shkëmbi: Gjendja te Dinamo është më e mirë, na ndihmoi ndërprerja e kampionatit

Trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi, ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp teksa ka folur për ndeshjen e nesërme në Kupë ndaj Tiranës.

Tekniku i bluve thekson se pauza erdhi në momentin e duhur, pasi i duhej kohë për të rikuperuar futbollistët nga gjendja psikologjike dhe fizike.

Nga ana tjetër, Shkëmbi u shpreh se objektivi minimal i klubit është Europa.

“Pushimi erdhi në momentin e duhur për disa lojtarë për gjendjen fizike që kishim. Kemi rikuperuar disa lojtarë, por edhe nga ana psikologjike ky pushim na bën mirë. Gjendja është pak më mirë, rikthehet Sofranac. Objektivi minimal është Europa, kjo është dëshira.

Synimi nesër është të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të kualifikohemi, e pastaj të mendojmë për kampionatian dhe për t’u afruar me kreun. Pas rezultateve jo të mira nuk është e thjeshtë situata, por kemi në ekip lojtarë me eksperiencë që kanë provuar shumë rezultate gjatë karrierës.

Koha e pushimit na bëri mirë për të harruar dhe për t’u fokusuar te ndeshja nesër. Gjithmonë mendja është te ndeshja e radhës, kualifikimi do të na bëjë të ndjehemi mirë edhe në kampionat”, u shpreh Shkëmbi.

Ndërkohë, kujtojmë se sfida e parë mes dy klubeve të kryeqytetit është mbyllur me rezultatin 2-0 për Dinamon.