Vrasja e Fridman Xhaferrajt/ Kapet pas 5 muajsh një nga autorët

Arrestohet pas pesë muajsh një nga autorët e vrasjes së 25-vjeçarit, Fridman Xhaferraj. Policia bën me dije se është prangosur Kristi Bixheku, 26 vjeç, banues në Lushnjë. Ngjarja e rëndë ndodhi në qershor të këtij viti. 25-vjeçari u dhunua dhe më pas u hodh në rezervuarin e Gjançin në Korçë nga autorët. I dyshuari tjetër (bashkëpunëtori) Lulëzim Spahia, i njohur me nofkën "Arapi", ndodhet në arrati.

Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar Kristi Bixheku, nuk ka pranuar të flasë para uniformave blu. Ai ka zgjedhur të heshtë, me justifikimin se do të flasë në një moment tjetër në prani të avokatit të tij pranë togave të zeza pasi ditën e djeshme avokati ka munguar gjatë shoqërimit të Bixhekut në komisariat. Ai u ndalua ditën e djeshme në Tiranë, ndërsa u soll në Korçë pasi ndalimi është bërë për llogari të bluve të Korçës.

NJOFTIMI ZYRTAR

Vihet në pranga njëri prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 25-vjeçarit F. Xh., ngjarje e ndodhur 5 muaj më parë në rezervuarin e Gjançit.

Operacioni i finalizuar nga DVP Korçë dhe Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me DVP Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 13.06.2021, ku në rezervuarin e Gjançit, në Korçë, u gjet i pajetë shtetasi F. Xh., 25 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe koordinimit të veprimeve nga ana e Forcave të Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u bë i mundur ndalimi i shtetasit në kërkim Kristi Bixheku, 26 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 18.06.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me ngjarjen e lartpërmendur, ku ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin tjetër L. S., (i shpallur në kërkim) kanë goditur me sende të forta në kokë 25-vjeçarin F. Xh., duke i shkaktuar vdekjen.

Nga ana e policisë po vijon puna për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të bashkëpunëtorit tjetër, shtetasit L. S.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.