Meta: PD ka probleme me lidershipin, nuk mban përgjegjësi, gjithmonë do të shpikë një fajtor

Presidenti Ilir Meta ka komentuar në intervistën për RTV Ora edhe krizën që po kalon Partia Demokratike. 

Kreu i shtetit tha se PD ka një problem të rëndësishëm me legjitimitetin e lidershipit të saj. 

Ai shtoi se mbështet propozimin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD për të gjetur një zgjidhje demokratike. 

“Nuk të hyjë në çështjet e brendshme të Partisë Demokratike. Por, ky është një fakt që, opozita ka një problem të rëndësishëm, legjitimitetin e lidershipit të saj.

E para është një lidership që nuk mban përgjegjësi dhe gjithmonë do shpikë një fajtor. E dyta, vetë zoti Basha e ka pranuar, që ka pasur apo ka një dualizëm në drejtimin dhe lidershipin e Partisë Demokratike, gjë që e kemi dëgjuar kohët e fundit.

Unë, nuk e di sesa e vërtetë dhe reale është kjo! Nuk kam qenë pjesë e forume të Partisë Demokratike. Për çështjet e rëndësishme që flas me zotin Basha, apo me aktorë të tjerë sigurisht që jam shumë i përgjegjshëm, sepse ato janë jo vetëm të dokumentuara shumë mirë, por janë edhe fakte publike” – tha Meta që u pyet edhe për përplasjen mes PD dhe LSI.

“Për mua kjo nuk ka asnjë rëndësi, kjo është një çështje e tyre, kjo është një çështje e opozitës, kjo është një çështje e LSI-së. I vetmi shqetësim, apo merak i imi, zakonisht nuk kam të tilla se bëj atë që duhet të bëj, është që, ditën që këta çuditërisht shpallën që do të linin mandatet, nuk duhet të merrja në telefon dhe t’i dërgoja sms vetëm kryetares së LSI-së dhe zotit Vasili, por duhet të kisha marrë të gjithë deputetët apo ish-deputetët e LSI-së dhe t’u thosha; që në asnjë mënyrë ju nuk duhet të lini mandatet. Por, unë mendova që këta të dy do të bënin punën e tyre, pastaj këta ta japin shpjegimet vetë.

Unë jam krenar që kam krijuar LSI-në, por ju nuk keni parë asgjë akoma” – tha Meta.