Quajeni si nder ardhjen e ‘foltores’ në Librazhd, Berisha ju dëgjon...

Shpesh herë, edhe për humor, kam thënë se në Librazhd është marr vesh që ka rënë komunizmi aty nga viti 1995.

Këtë e kam thënë më shumë për të cilësuar më shumë të qenit e zonës së Librazhdit një zonë e majtë përgjithësisht.

Por sigurisht unë e kam ditur që ka rënë komunizmi pasi babai im është një nga 3-4 firmëtarët e parë të themelimit të opozitës në Librazhd në fillim të viteve ‘90.

Kurrë, as babai, as unë, as vëllezërit nuk kemi përfituar asgjë nga asnjë pushtet këto 30 vite në Shqipëri, nga PD-ja jo e jo.

Kam nja 8 vjet që i shkruaj e i flas gjërat që i mendoj publikisht, siç i kam gjykuar unë, por pa diskutim, ato 5-10 veta që më kanë lexuar mua, nëse janë ndikuar, ky ndikim ka shkuar në favor të opozitës.

Se ashtu siç është rregulli, një njeri i lirë është gjithmonë në opozitë me pushtetin.

Ka patur herë pas here nga këta langaraqët e Lul Bashës që më kanë shkruar e kanë kërkuar të aludojnë se, duke qenë se unë jam nga Librazhdi, duke qenë se edhe Taulant Balla është nga Librazhdi, unë mund të jem njeriu i tij 

Nuk ju kam kthyer përgjigje se i kam shtresëzuar këta njerëz në shtresën më të ndotur të shoqërisë, aty në atë shtresë ku rri një komunist dy leksh, një servil apo një shpifës ordiner.

Sigurisht e njoh Taulantin, nuk kam përfituar kurrë, kurrë asnjë grimë nga pushteti që ka pas ai njeri deri më 25 prill. Sot ai s’ka më asnjë pushtet.

Tani, mora vesh që “foltorja” do shkojë të premten në Librazhd, dëgjova edhe që struktura e Lulit atje po shantazhon njerëzit që të mos marrin pjesë. Kisha një këshillë miqësore për këdo që më ndjek nga Librazhdi.

-Quajeni si nder ardhjen e “foltores” në Librazhd, merrni pjesë masivisht në të, thoni mendimet tuaja, edhe kundër po të jeni, pasi Sali Berisha ju dëgjon, nuk jua pret fjalën siç bën Lul Basha.

Nuk është turp të marrësh pjesë në “foltore”, turp është të mos radhitesh në anën e duhur, në anën e njerëzve të lirë. Është turp dhe katastrofë, por po aq edhe qesharake që të kesh frikë nga Lul Basha, Gaz Bardhi apo Grida Duma.

Shkoni masivisht në “foltore” mos kini frikë nga askush, shkoni si njerëz të lirë.