Këlliçi ironi me ‘Akademinë e Barinjve’: Fara e kosit do jetë nënprodukt kryesor në treg

Deputeti i PD-së Belind Këlliçi nuk ka kursyer ironitë me qeverinë Rama, teksa diskutohej projekt-buxheti, që pritet të miratohet për vitin e ardhshëm.

Këlliçi u shpreh kundër këtij projekt-buxheti, si dhe kundër taksës për imputet bujqësore.

Duke folur përherë me ironi, Këlliçi tha se PS ka gjetur zgjidhjen për problematikat përmes ngritjes dhe digjitalizimit të “Akademisë së Barinjve”, ndërsa shtoi se satelitët do të gjejnë treg në orbitat e tjera për farën e kosit.

“Flisni për bagëti apo për bujqësi, ku ulja e TVSh-së shkon nga 6% në 0%, dhe sigurisht keni parë dhe reagimin e grupeve të interesit, kjo e dëmton rëndë blegtorinë. TVSh-ja edhe sikur të hiqet, impaktin nuk e jep më shpejt se 6 muaj qapo 1 vit. Prezantuat taksën 100 lekë për qumështin pluhur dhe pastaj e hoqët, donit të taksonit qumështin pluhur që është lëndë e parë. Ndërkohë që do të lejoni të futen pa taksë të gjitha nënproduktet e qumështit pluhur. Kujt i shërben kjo do të pyesin qytetarët? Lobingjeve të importit i shërben më së miri. Ja kujt i shërben.

Ka një tregues tjetër këtë që është vendosja e TVSH-së 10% për input-et bujqësore, që penalizon bizneset vendase. Taksat për bujqësinë do të nxisin importin. Por ju e keni zgjidhjen, do të digjitalizoni “Akademinë e Barinjve”, ku fara e kosit do të jetë nënprodukti kryesor dhe me dy satelitët tuaj Albania 1 dhe Albania 2 do të kërkoni treg për fermerët në orbitat e tjera. Ju lutem kini një fije seriozitet pasi këtu nuk jeni në Asamblenë e Partisë Socialiste. Ndaj unë do të doja të shtynit afatin e konsultimeve për paketën fiskale”, deklaroi Këlliçi.