Berisha: Foltorja ka bërë miq në mbarë botën, Loka e përkrahu menjëherë

Lideri historik demokrat, Sali Berisha, duke folur në Foltoren e Fushë-Krujës, deklaroi se kryetari i PD në këtë qytet, Agron Loka, ka qenë ndër përkrahësit e parë të nismës.

“Kjo lëvizje përfaqëson revolucionin paqësor të një rëndësie historike të shqiptarëve në përballjen e tyre të dytë të madhe në këto tre dekada, përballjen e tyre me narkoshtetin, apo me diktaturën e krimit dhe të drogës.

Kam kënaqësinë t’ju informoj se kryetari juaj, Agron Loka ka qenë ndër më të parët që ka mbështetur këtë nismë dhe në një bisedë të zhvilluar me të, mbeta i inkurajuar për lëvizjen që nisëm dhe që sot ka pushtuar mendjen dhe zemra te qindra-mijëra demokratëve në Shqipëri, emigracion dhe diasporë.

Më lejoni t’ju informoj dhe siguroj se Foltorja apo revolucioni ynë paqësor ka bërë miq në mbarë Europën dhe mbarë botën. Ata e shohin këtë si të vetmin zhvillim pozitiv të tetë viteve të fundit në Shqipëri.

Foltorja, e cila së pari ndezi shpresat në zemrat e demokratëve dhe demokrateve, është shndërruar sot në dritë shprese në tunelin e zi në të cilin kishte ngujuar narkoshteti shqiptar, qytetarët e këtij vendi.

Foltorja u thirr nga ndërgjegjia, nga idealet e demokratëve dhe demokrateve shqiptarë në një moment shumë kritik për vendin dhe kombin. Në vitin 2013, në Shqipëri u ndërrua pushteti me votën e qytetarëve shqiptarë u zgjodh një kryeministër tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha njohu përgjegjësinë e tij për humbjen e zgjedhjeve dhe dha dorëheqje të parevokueshme. Hapi krahun për një gjeneratë të re, me besimin e madh që kjo gjeneratë mund të çonte në horizonte të reja opozitën dhe më pas Shqipërinë. Por tetë vitet ishin vitet ku si në asnjë vend tjetër të Europës, u regjistruan rekordet më të zeza,” tha Berisha.