Thirrja e Kuvendit më 18 dhjetor, Muçollari: Kryesia aktuale e PD e jashtëligjshme, çdo vendim i saj nul

Sekretari i Përgjithshëm i FRPD-së Grigels Muçollari, ka komentuar deklaratën e Lulzim Bashës, se do të mbledhë Kuvendin e PD-së më datë 18 dhjetor.

Muçollari thekson se Kuvendi do të thirret më 11 dhjetor e jo më datë 18 dhjetor.

Ai shton se Kryesia aktuale e PD-së është e jashtëligjshme, duke shtuar se çdo vendim i saj është nul.

“Kryesia aktuale e PD është e jashtëligjshme, çdo vendim i saj është nul. Tetëmbëdhjetë anëtarë janë zgjedhur pa votim të fshehtë. Duhen 20 anëtarë që të merret vendim, tagër e kanë vetëm kaq anëtarë. Në këtë rast, nuk është plotësuar kourumi 50 plus 1, që të mblidhet Kuvendi. Mendoj se Kuvendi është thirrur, që të kontrollohet Kryesia. Për të mos thënë se  Gazmend Bardhi është zgjedhur në mënyrë të paligjshme.

Kuvendi do të mblidhet më datë 11 dhjetor, sepse firmat janë dorëzuar tashmë. Deklaratat e Bashës janë të turpshme. Nëse Basha ka mbështetjen e demokratëve, le të vijë në Kuvend, të garojë, të përballet me demokratët e të shohë nëse ka mbështetjen e bazës së PD-së. Basha flet me gjuhën e Ramës dhe nuk ka si të ketë mbështetje të demokratëve. E ftoj zotin Basha dhe Bardhi, që të marrin pjesë në Kuvendin e datës 11”, u shpreh Muçollari.